Friday / October 23 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi Protesta

“Qeveria po përpiqet të fitojë kohë, por protestat do të rikthehen”

Share Share Icon

Flet Ermal Hasimja, Politolog dhe pedagog

 

Qeveria po përpiqet të fitojë kohë përballë protestave, por kjo strategji nuk pritet të sjellë zgjidhjen e krizës politike, vlerëson pedagogu dhe politologu Ermal Hasimja.

Në një intervistë për “Monitor”, ai argumenton se reagimet e kryeministrit Edi Rama nuk dëshmojnë një strategji të qartë, por janë më tepër përgjigje të momentit, që po shkojnë drejt përdorimit të forcës policore dhe frikësimit të protestuesve.

Sipas z. Hasimja, edhe nëse qeveria arrin t’i zbehë përkohësisht protestat, pakënaqësia do të rishfaqet në një moment tjetër.

Ai thekson se përballja me pushtetin ka rritur ndërgjegjësimin politik dhe vendosmërinë e brezit të ri, i cili nuk është i gatshëm të pranojë injorimin e kërkesave të tij. Ai e krahason qeverinë me një njeri të ngecur në rërë lëvizëse, duke vlerësuar se nervozizmi, agresiviteti dhe përdorimi i forcës janë shenja të humbjes së aftësisë për të siguruar mbështetjen e opinionit publik.

 

Si e vlerësoni menaxhimin e krizës politike nga qeveria?

Mendoj se qeveria e ka të pamundur të zgjidhë krizën, sepse kërkesat e protestës nuk lidhen me kushte specifike, por me dorëheqjen e kryeministrit. Rrjedhimisht, ky i fundit po përpiqet ta menaxhojë situatën, më shumë për të fituar kohë, ndoshta nën shembullin e Vuçiçit në Serbi, që ia doli t’u rezistojë për dy vjet protestave të studentëve.

Gjithashtu, nuk duket se ai ka një strategji të qartë për këtë, sepse reagimet e tij duken më tepër si reflekse të momentit, që shkojnë gjithnjë e më shumë drejt përdorimit të dhunës policore dhe frikësimit të protestuesve.

 

Si ndikon përballja me dhunën gjatë protestave në formimin demokratik të të rinjve?

Ky është një brez që nuk e njeh dhunën dhe përplasjen fizike, sepse nuk ka përjetuar protestat e viteve ’90 dhe ka qenë në moshë fëmijërore në 2011.

Këto protesta e kanë politizuar, në kuptimin pozitiv, këtë brez, sepse e kanë mësuar me idenë që duhet luftuar për idetë dhe të drejtat dhe jo t’i konsiderosh si të mirëqena. Nga kjo pikëpamje, edhe reagimi i qeverisë dhe policisë ka shërbyer si një shkollë politike.

 

Si reagojnë të rinjtë kur institucionet nuk i dëgjojnë ose u përgjigjen me ndëshkime?

Është e qartë që reagimi i të rinjve ndaj injorimit ose reagimit të dhunshëm ndaj shqetësimeve të të rinjve është i fortë dhe serioz. Pra, nuk janë aq të gatshëm për të duruar sa brezi i mëparshëm.

 

A i bën menaxhimi i protestave të rinjtë më të vendosur apo më mosbesues?

Mendoj se reagimi i qeverisë rrit vendosmërinë e të rinjve protestues. Vetëm një diktaturë e plotë do ta nënshtronte (përkohësisht) revoltën e tyre. Por besoj se shoqëria nuk do ta gëlltiste atë.

Rrjedhimisht, mendoj se përpjekja e qeverisë është e kotë. Edhe nëse ia del ta ftohë përkohësisht protestën, ajo do të rindizet në një moment tjetër.

Mosbesimi ndaj qeverisë që prodhon reagimi i dhunshëm dhe injorimi është i shëndetshëm. Qeverisjet autoritare instalohen pikërisht kur nuk ka reagim. Me sa duket, brezi i ri nuk ka ndër mend të mos reagojë.

 

A mund të quhet e suksesshme një qeveri që ruan pushtetin, por humbet besimin publik?

Duket se qeveria nuk synon më t’i bindë qytetarët për ndershmërinë apo përgjegjshmërinë e saj. Mendoj se gjërat janë të qarta për të gjithë. Qeveria synon të qëndrojë në pushtet duke përfituar nga sistemi zgjedhor, opozita e dobët, bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe vënia e shtetit në funksion të partisë.

 

Si ndikon kriza politike në vendimin e të rinjve për të emigruar?

Po ju them një rast të thjeshtë. Këto ditë kam takuar ish-studentë të mi, të cilët më thonë se ishin bërë gati për të emigruar, por tani kishin ndryshuar mendim dhe kishin vendosur të qëndrojnë, sepse janë frymëzuar nga shpresa për një ndryshim të madh që mund të sjellë protesta.

 

Cilat janë shenjat që qeveria po humbet aftësinë për ta menaxhuar krizën?

Qeveria aktuale është si ai njeriu që ka ngecur në një gropë me rërë lëvizëse. Nëse rri në vend, zhytet ngadalë, por nëse lëviz për të shpëtuar, zhytet edhe më shpejt. Nervozizmi dhe agresiviteti janë shenjat e para që duken hapur.

Përdorimi i dhunës dhe frikësimit janë shenjë e humbjes së aftësisë për të pasur përkrahjen e opinionit.

 

Çfarë roli duhet të luajnë universitetet dhe akademikët në mbrojtjen e parimeve demokratike?

Universiteti është shtëpia e intelektualëve. Intelektuali ka përgjegjësi publike për shkak të formimit të tij dhe statusit social. Intelektuali nuk është thjesht qenie biblioteke, por mbi të gjitha dikush që shfrytëzon dijet për të prodhuar ide e qëndrime në të mirën e shoqërisë.

 

 

LEXONI EDHE:

Kriza politike, nga auditorët në rrugë, revolta që po vë në provë qeverinë

Afrim Krasniqi: Kriza politike do të zgjasë, zgjidhja varet nga përgjigjja e SPAK-ut

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Kosova investon më shumë në Shqipëri se anasjelltas  

Kompanitë e Kosovës po investojnë dukshëm më shumë në Shqipëri sesa bizneset shqiptare në Kosovë. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, inv...

9 minutes më parë 8 Min Lexim

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, test për legjitimitetin politik dhe drejtimin e Serbisë

Instituti Ndërkombëtar IFIMES   Më 9 shtator 2026, Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vučić, shpalli zgjedhjet e parakohshme parla...

11 minutes më parë 5 Min Lexim
Bota /

Mos lejoni që IA të vrasë autorin

13 minutes më parë 6 Min Lexim
Ads
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!