Me emrin e gjyshit hero dhe uniformën e FSK-së, Hazir Berisha nga Shkaba e Drenasit nis rrugëtimin në shërbim të Kosovës

Hazir Berisha nga fshati Shkabë i Drenasit, i është bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke vazhduar traditën familjare të shërbimit ndaj vendit dhe duke trashëguar emrin e gjyshit të tij, Heroit të Kosovës, Hazir Berisha.
I rritur në një familje me histori të lidhur ngushtë me luftën për lirinë e Kosovës, Berisha tashmë ka veshur uniformën e FSK-së, duke nisur një kapitull të ri në jetën e tij profesionale.
Ai është nipi i Heroit të Kosovës, Hazir Berisha, emrin e të cilit e mban me krenari, si dhe djali i veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Arsim Berisha.
Si djali i madh i familjes Berisha, Haziri përfaqëson brezin e tretë të një familjeje, historia e së cilës është e lidhur me luftën për liri dhe shërbimin ndaj Kosovës.

Bashkimi i tij me FSK-në shënon një vazhdimësi simbolike ndërmjet brezave, nga sakrifica e gjyshit dhe kontributi i babait gjatë luftës, deri te angazhimi i tij në institucionin e sigurisë së vendit.
Për familjen Berisha dhe vendlindjen e tij, Shkabën (ish-Gllanasellë), ky është një moment i veçantë, ndërsa Haziri nis rrugëtimin e tij në uniformën e FSK-së, me synimin për t'i shërbyer Republikës së Kosovës.
FSK është një nga institucionet më të rëndësishme dhe të respektuara të Kosovës dhe përfaqëson sigurinë dhe mbrojtjen e popullit kosovar. Ky angazhim për vendin është një vazhdim i rrugës së familjes Berisha, që brez pas brezi ka ofruar bijtë e saj për mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.
Historia brez pas brezi e familjes Berisha
Hazir Berisha u lind në vitin 1946 në Gllanasellë. Nga një familje patriotësh, Haziri e mësoi përkushtimin për atdheun që nga rinia, frymëzuar nga babai i tij, Brahim Luta, dhe babëgjyshi, Lutë Gllanasella, të cilët luftuan vazhdimisht në Drenicë nën komandën e Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës. Lufta e tyre mbetet e përjetësuar në librat e historisë shqiptare.
Brahim Luta (Babai i Hazirit) I lindur në vitin 1919 në Gllanasellë, Brahim Luta ishte komandant i Divizionit të II-të të Ibrit dhe bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës. Ai mori pjesë në shumë beteja kundër forcave serbo-sllave dhe luajti një rol kyç në aksionin "Ura e Pesrtovës". Në betejën e Tërstenikut, Brahimi dhe bashkëluftëtarët e tij luftuan për të zhbllokuar rrethimin dhe për të shpëtuar komandantët e plagosur. Pas këtyre luftimeve të rënda, Brahim Luta vazhdoi rezistencën në Shalë të Bajgorës, ku ra heroikisht në vitin 1947.
Lutë Gllanasella (Babgjyshi i Hazirit) I lindur në vitin 1899 në Gllanasellë, Lutë Gllanasella ishte bashkëluftëtar i Azem Bejtës dhe udhëheqës i Çetës së Kaçakëve, e njohur si "Çeta e Lutë Gllanasellës". Ai ka lënë një gjurmë të rëndësishme në historinë shqiptare për luftën e tij kundër pushtuesit serbo-sllav. Në vitin 1923, Çeta e tij realizoi një sulm të suksesshëm kundër xhandarmërisë serbe në Çikatovë të Vjetër, duke mbetur një shembull i qëndresës për lirinë e trojeve shqiptare. Në luftimet e rrepta që u zhvilluan në atë betejë, bie heroikisht, Lutë Gllanasella. Lutë Gllanasella kishte vetëm një djalë (Brahim Lutën), i lindur në vitin 1919 – 1947./Telegrafi.









































