Protesta e studentëve shënon sot ditën e 12-të, ndërsa vijojnë përgatitjet për tubimin kombëtar në orën 14:00 të paralajmëruar në kryeqytet. Me protestën janë solidarizuar pedagogë, mjekë dhe sindikata e biznesit të vogël, ndërsa pjesëmarrje pritet edhe nga studentët e rretheve.
Pedagogët do t’i bashkohen tubimit të studentëve. Ndërkohë, Partia Demokratike u ka bërë thirrje aktivistëve dhe forumeve të saj që në orën 12:00 të dalin në mbështetje të protestës së studentëve.
Në orën 14:00 është paralajmëruar bashkimi i grupeve të studentëve në tubimin përpara Kryeministrisë. Mijëra të rinj dhe qytetarë edhe nga rrethet pritet t’i bashkohen kësaj proteste e cila pritet të jetë masive.
Mobilizimi për protestën kombëtare po zhvillohet edhe jashtë Tiranës. Studentët e rretheve, të cilët gjatë javës kanë protestuar në qytetet ku ndodhen universitetet e tyre, pritet të udhëtojnë nesër drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar tubimit.
Grupet studentore të Tiranës janë në komunikim me studentët e qyteteve të tjera për të koordinuar pjesëmarrjen në protestën përpara Kryeministrisë.






