Agjencia për Media dhe Informim (MIA) ka reaguar pas qarkullimit në rrjetet sociale të një fragmenti nga fjalimi i kryeministrit Edi Rama, mbajtur më 24 tetor 2022 në Jerusalem, duke deklaruar se videoja është shkëputur nga konteksti dhe se fjalët janë paraqitur në mënyrë të deformuar.
Sipas MIA-së, në fjalimin e tij Rama po citonte një dokument historik të vitit 1936, konkretisht një mesazh të koduar të një informatori italian drejtuar Ministrisë së Jashtme të Italisë. Agjencia thekson se montazhi i videos ka ndryshuar kuptimin e deklaratës, duke krijuar një interpretim të pavërtetë të asaj që është thënë.
Në dokumentin historik thuhej: “Pa dashur të alarmoj, më duhet të them se simpatitë shqiptare për ne do të shuhen së shpejti dhe vendin tonë do ta zënë hebrenjtë”.
MIA sqaron se fragmenti që po shpërndahet e paraqet citimin në vetën e parë, pa bërë të qartë se bëhet fjalë për fjalët e informatorit italian dhe jo për një deklaratë të vetë kryeministrit shqiptar.
“Në fragmentin e manipuluar, deklarata është paraqitur në vetën e parë dhe jo si një citim i një informatori italian drejtuar Ministrisë së Jashtme të Italisë, duke ndryshuar rrënjësisht kuptimin e fjalisë dhe duke krijuar përshtypjen e rreme se Kryeministri po fliste për zhdukjen e shqiptarëve”, thekson Agjencia për Media dhe Informim.
Në përfundim të sqarimit, MIA nënvizon se bëhet fjalë për një citim historik të deformuar përmes montazhit dhe shkëputjes nga konteksti, dhe jo për një deklaratë apo qëndrim të Edi Ramës.

