Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë “Folenë e Shqiponjës”, ish-rezidencën malore të Adolf Hitlerit në Alpet Bavareze të Gjermanisë. Autoritetet kanë ndaluar përkohësisht një person të dyshuar, ndërsa hetimet po vijojnë për të përcaktuar nëse ai ka lidhje me zjarrin.
Sipas policisë gjermane, ekipet e emergjencës mbërritën në ndërtesë në orën 21:52 të së premtes, më 23 tetor, dhe e gjetën atë të përfshirë plotësisht nga flakët.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, pasi dyshohet se në momentin e zjarrit nuk kishte njeri brenda objektit.
Sipas mediave gjermane, mes pistave që po shqyrtohen është edhe ajo e zjarrvënies së qëllimshme, por autoritetet nuk kanë konfirmuar ende shkakun e incidentit.
Sipas gazetës “Bild”, policia ka ndaluar një motoçiklist që është pikasur pranë vendit të ngjarjes. Megjithatë, mbetet për t’u përcaktuar nëse ai ka lidhje me zjarrin.
Rreth 200 zjarrfikës u angazhuan për të përballuar flakët, ndërsa pozicioni i vështirë i ndërtesës e ndërlikoi ndërhyrjen.
Objekti ndodhet në një lartësi prej 1.834 metrash, në malin Obersalzberg, pranë qytetit Berchtesgaden. Zëdhënësja e policisë, Lisa Maier, bëri të ditur se hyrja në ndërtesë ishte e vështirë dhe kërkonte pajisje të posaçme mbrojtëse për frymëmarrjen.
“Foleja e Shqiponjës”, e njohur në gjermanisht si *Kehlsteinhaus*, u përfundua në vitin 1938 dhe ishte pjesë e zonës malore që përdorej nga udhëheqësit e regjimit nazist. Ndryshe nga perceptimi i përhapur, Adolf Hitleri e vizitoi vendin vetëm në pak raste, ndërsa ndërtesa shërbente edhe për pritjen e zyrtarëve të lartë nazistë dhe të ftuarve.
Objekti i mbijetoi Luftës së Dytë Botërore pa dëme të mëdha dhe që prej vitit 1952 funksionon si një strehë malore dhe destinacion turistik. Në të është ngritur gjithashtu një ekspozitë që dokumenton historinë e ndërtesës gjatë periudhës naziste.
Hetimet për zjarrin vijojnë, ndërsa autoritetet gjermane ende nuk kanë përcaktuar nëse bëhet fjalë për një incident aksidental apo zjarrvënie të qëllimshme.