• Kontakt
Saturday, October 24, 2026
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Kriza politike, nga auditorët në rrugë, revolta që po vë në provë qeverinë

Protestat që nisën me kërkesa për arsim më të përballueshëm, kushte më të mira dhe mundësi për të ardhmen duket se janë kthyer në sfidën më të madhe politike të qeverisë Rama. Brenda pak ditësh, menaxhimi i krizës kaloi nga ndërhyrjet e dhunshme dhe akuzat ndaj protestuesve te ftesat për dialog. Por deri më sot, as përplasjet dhe as ndryshimi i tonit nuk kanë mjaftuar për të qetësuar situatën. Për politologët, përballja po nxjerr në pah një problem më të madh se vetë protesta që është mungesa e besimit te mënyra se si qeveriset vendi. Kjo, sipas tyre, nuk është një krizë e shtetit por e politikës.

08:35 : 24/10/2026
në AKTUALITET, KRONIKE, KRYESORE, POLITIKE

Më 13 tetor, studentët dhe gjimnazistët dolën përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë me kërkesa që nuk ishin të reja, duke nisur nga kushtet më të mira të studimit, tarifat më të përballueshme dhe mundësitë për të ardhmen.

Pak ditë më vonë, arsimi nuk ishte më shqetësimi i vetëm.

Përplasjet me policinë, reagimet e ashpra të kryeministrit dhe pakënaqësitë e grumbulluara ndër vite e kthyen protestën në një sfidë të drejtpërdrejtë për qeverinë. Tashmë, krahas ndryshimeve në arsim, të rinjtë kërkojnë edhe largimin e Edi Ramës.

Korrupsioni, pabarazia dhe mungesa e perspektivës janë shqetësime që shkojnë përtej auditorëve dhe që tashmë janë vendosur gjithashtu në krye të kërkesave.

Lexo edhe:

Sot, studentët nga i gjithë vendi mblidhen në Tiranë! Në shesh edhe pedagogët, mjekët, artistët e diaspora

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep, policët fshihen nga kamera

Përgjigjja e institucioneve në menaxhimin e kësaj krize nuk arriti t’i ulte tensionet. Përkundrazi, ditët në vijim sollën përplasje gjithnjë e më të forta. Grupe demonstruesish hodhën gurë ndaj policisë, dëmtuan prona dhe u vunë flakën objekteve.

Forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës, autobote uji dhe shkopinj gome.

Pati ndalime dhe u dokumentua edhe përdorimi i municioneve prej gome ndaj protestuesve. Në këtë përballje pati dhunë nga të dyja anët, por shteti ka një përgjegjësi të veçantë: të mbrojë qytetarët dhe të drejtën e tyre për të protestuar, edhe kur situata bëhet e vështirë.

Pikërisht kjo përgjegjësi u vu në pikëpyetje. Ndërsa pamjet e përplasjeve kanë pushtuar transmetimet e drejtpërdrejta në televizione, rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare, kërkesat për ndryshime në arsim kanë kaluar gjithnjë e më shumë në plan të dytë, sidomos për shkak të mënyrës se si reagoi qeveria.

Politologu Afrim Krasniqi mendon se pikërisht këtu qeveria humbi një mundësi për ta zgjidhur krizën përpara se ajo të thellohej. Sipas tij, një qeveri që përballet me protesta ka dy rrugë: të dëgjojë mesazhin e qytetarëve dhe të ndryshojë atë që nuk funksionon, ose të përpiqet të kalojë ditët e vështira, me shpresën se pakënaqësia do të shuhet vetë.

Z. Krasniqi vlerëson se qeveria “ka zgjedhur formën e dytë”. Në vend që kërkesat e protestuesve të ktheheshin në masa dhe reforma, sipas tij, vëmendja u përqendrua te kapërcimi i momentit. Por një protestë mund të shpërndahet, ndërsa pakënaqësia që e solli në rrugë të mbetet.

REUTERS/Louisa Gouliamaki

Në mbrëmje përplasje, në mëngjes dialog

Në fillim, kryeministri Edi Rama zgjodhi gjuhën e ashpër. Ai përjashtoi dorëheqjen, dënoi dhunën dhe akuzoi kundërshtarët politikë se po nxisnin trazirat. Nuk munguan as pretendimet për ndërhyrje të huaja dhe për njerëz që kërkonin të destabilizonin Shqipërinë.

Mes gjithë këtyre akuzave, debati për problemet që kishin nxjerrë të rinjtë në rrugë u la në hije, madje ata u etiketuan me një sërë epitetesh denigruese. Në vend që të flitej për arsimin, korrupsionin apo përgjegjësinë e institucioneve, vëmendja u kthye te pyetja se kush qëndronte pas protestave dhe çfarë interesash mund të kishte.

Përgjigjet për atë që nuk shkon me qeverisjen apo problemet reale që mund të kenë nxitur këtë revoltë mbetën të pakta.

Por, pak ditë më vonë, kryeministri ndryshoi gjuhë. Pas deklaratave të forta dhe përplasjeve me policinë, kryeministri Rama ftoi studentët dhe pedagogët të uleshin në bisedime. Përpara Kryeministrisë u vendosën karrige me mbishkrimin “Dialog”, një simbol që po riciklohet në forma të ndryshme çdo ditë.

Nga akuzat dhe paralajmërimet, qeveria kaloi te ftesat për t’u ulur në tryezë, por pa ruajtur qëndrueshmëri në këtë qasje. Shpesh, deklaratat e ashpra dhe ftesat për dialog kanë ardhur edhe në të njëjtën kohë. Deri më sot, përgjigjja e protestuesve ndaj këtyre ftesave ka qenë refuzimi.

Problemi nuk është vetë ftesa për dialog, por ajo që ka ndodhur përpara saj. Pas ditësh përplasjesh, ndërhyrjesh të policisë dhe deklaratash që i vendosnin protestuesit në shënjestër të akuzave, madje edhe pretendimeve për përndjekje, besimi është dëmtuar. Dhe duket se besimi nuk rikthehet vetëm duke ndryshuar tonin.

Kjo lëvizje e qeverisë, herë me qëndrime të forta dhe herë me ftesa për bashkëpunim, ka nxjerrë në pah pikëpyetje mbi rrugën e zgjedhur për daljen nga kriza. Deri tani, ndryshimi i gjuhës nuk është shoqëruar me një zgjidhje që të bindë protestuesit se kërkesat e tyre po merren seriozisht.

Politologu dhe pedagogu Ermal Hasimja mendon se kryeministri po vepron sipas zhvillimeve të ditës, pa një plan të qartë. Reagimet e tij, thotë z. Hasimja, duken më tepër si “reflekse të momentit”, ndërsa përdorimi i forcës dhe frikësimi i protestuesve tregojnë, sipas tij, vështirësinë e qeverisë për t’u përballur me pakënaqësinë.

Z. Hasimja beson se kryeministri Rama po përpiqet të fitojë kohë, me shpresën se protestat do të dobësohen. Por situata është bërë më e vështirë pikërisht sepse kërkesat kanë ndryshuar.

Edhe z. Krasniqi sheh një përpjekje për ta kaluar krizën, jo për ta zgjidhur. Sipas tij, qeveria po shpreson që koha të bëjë atë që nuk po arrijnë ta bëjnë vendimet politike, që është ulja e pakënaqësisë.

A mjaftojnë votat për të mbajtur pushtetin, kur besimi i qytetarëve po dobësohet?

Kryeministri Edi Rama vazhdon të ketë shumicën parlamentare. Qeveria është në detyrë, administrata punon dhe institucionet vijojnë aktivitetin. Në pamje të parë, shteti funksionon normalisht. Por ajo që po ndodh në rrugë ngre pyetjen nëse funksionimi i institucioneve mjafton për të ruajtur besimin e qytetarëve te mënyra se si qeverisen.

Z. Krasniqi e bën të qartë këtë dallim. Sipas tij, Shqipëria nuk po kalon një krizë shtetërore si ato që ka përjetuar në vitet më të vështira të tranzicionit. Problemi është politik: qytetarët po humbasin besimin te vendimet dhe te njerëzit që i marrin ato.

“Një krizë politike duhet gjithmonë të zgjidhet me mjete politike”, thotë ai. Për z. Krasniqi, mbajtja e shumicës në Parlament nuk mund të jetë e vetmja përgjigje ndaj pakënaqësisë.

Protestat kanë nxjerrë në pah edhe dobësitë e institucioneve që duhet të ishin më pranë të rinjve. Sipas z. Krasniqi, rektoratet, drejtuesit e universiteteve dhe institucionet që merren me arsimin nuk arritën të luanin rolin që u takonte.

Në vend që të bëheshin ura komunikimi mes studentëve dhe qeverisë, disa heshtën, ndërsa të tjerat nuk arritën të ndihmonin në zgjidhjen e konfliktit.

Ndërkohë, as opozita nuk del e paprekur nga kjo krizë. Pakënaqësia me qeverinë nuk do të thotë domosdoshmërisht mbështetje për kundërshtarët e saj.

Z. Krasniqi mendon se mosbesimi prek më gjerë klasën e vjetër politike. Sipas tij, dy partitë kryesore kanë ruajtur mënyra të ngjashme drejtimi, ku vendimet varen më shumë nga liderët sesa nga debati i brendshëm dhe institucionet.

Kjo është edhe një nga veçoritë e protestave: të rinjtë nuk po kërkojnë thjesht që një parti të zëvendësojë një tjetër. Pakënaqësia e tyre lidhet edhe me mënyrën se si është bërë politikë në Shqipëri për shumë vite.

Për z. Hasimja, kjo përvojë mund të lërë gjurmë të gjata te brezi i ri. Të rinjtë që nuk i kanë përjetuar protestat e mëdha të viteve ’90 po mësojnë sot se të drejtat dhe ndryshimet kërkojnë përfshirje. Përballja me qeverinë dhe policinë, sipas tij, është kthyer edhe në një mësim politik.

Madje, ai tregon se disa ish-studentë të tij, të cilët kishin vendosur të emigronin, kanë ndryshuar mendje pas protestave. Shpresa se diçka mund të ndryshojë i ka shtyrë të qëndrojnë. Nuk është një tregues se emigrimi po pakësohet, por është një shembull se protesta mund të ngjallë edhe besim për të ardhmen.

Z. Hasimja paralajmëron se edhe nëse qeveria arrin ta zbehë lëvizjen, “ajo do të rindizet në një moment tjetër”. Sipas tij, mënyra e ashpër e reagimit mund ta forcojë vendosmërinë e protestuesve, në vend që t’i bëjë të tërhiqen.

Një krahasim është Serbia, ku protestat studentore e kanë vënë për një kohë të gjatë në vështirësi pushtetin, pa sjellë domosdoshmërisht ndryshimin e menjëhershëm të qeverisë. Edhe atje, qëndrimi në pushtet nuk ka qenë i njëjtë me rikthimin e qetësisë politike.

Për qeverinë, sfida tani nuk është vetëm të përballojë protestuesit apo të mbrojë mandatin. Është edhe mënyra se si do t’u përgjigjet pakënaqësive që kanë dalë në pah gjatë protestave. Deri tani, ndërhyrjet e policisë, akuzat për ndikime të huaja dhe ftesat për dialog nuk kanë sjellë një përgjigje që të bindë të rinjtë të tërhiqen.

Për politologët, kjo duket si një krizë që mund të zgjasë. Z. Krasniqi e lidh zgjidhjen me rolin e institucioneve të pavarura, veçanërisht SPAK-ut, ndërsa z. Hasimja vlerëson se pakënaqësia mund të rikthehet edhe nëse protestat dobësohen përkohësisht./ Monitor

Etiketa: politikeproteteqeveria Ramastudente

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Sot, studentët nga i gjithë vendi mblidhen në Tiranë! Në shesh edhe pedagogët, mjekët, artistët e diaspora

08:22 : 24/10/2026
AKTUALITET

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep, policët fshihen nga kamera

22:38 : 23/10/2026
AKTUALITET

Studentja e Mjekësisë: Kuotat i kanë marrë vajza e deputetit dhe djali i ministrit

22:15 : 23/10/2026
AKTUALITET

ANTIFA në Shqipëri, mes akuzave dhe fakteve

22:11 : 23/10/2026
AKTUALITET

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas dyerve të komisariatit

21:44 : 23/10/2026
AKTUALITET

Kongresmeni Jim McGovern: Qeveria t’i japë fund dhunës ndaj protestuesve dhe të dëgjojë qytetarët

21:20 : 23/10/2026

TË GJITHA

Kriza politike, nga auditorët në rrugë, revolta që po vë në provë qeverinë

08:35 : 24/10/2026

Sot, studentët nga i gjithë vendi mblidhen në Tiranë! Në shesh edhe pedagogët, mjekët, artistët e diaspora

08:22 : 24/10/2026

Këmbimi valutor 24 tetor/ Me sa blihen e shiten sot monedhat e huaja

08:17 : 24/10/2026

Kthjellime dhe vranësira në pjesën më të madhe të vendit, moti për këtë të shtunë

08:13 : 24/10/2026

Horoskopi, 24 tetor/ Zbulo çfarë parashikojnë yjet për secilën shenjë

23:01 : 23/10/2026

Stuhia e fuqishme godet Francën dhe Britaninë, 300 mijë banesa pa energji elektrike

22:56 : 23/10/2026

I riu shqiptar kapet me kokainë në Itali, tenton të identifikohet me dokumentet e vëllait binjak

22:42 : 23/10/2026



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2026 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2026 Boldnews Dev By Techzero1.com