Vendosni fjalën kyçe....

Tjetër ftesë për dialog, Rama ndryshon stil



Teksa sot pritet të mbahet protesta kombëtare e studentëve, pedagogëve dhe qytetarëve, kryeministri Edi Rama vijon të këmbëngulë në ftesën për dialog me protestuesit.

Në pamjet e publikuara nga kreu i qeverisë, duket se kësaj here është ndryshuar mënyra e organizimit të hapësirës përpara Kryeministrisë. Në vend të stolave prej guri dhe karrigeve të vendosura ditët e mëparshme, është shtruar një sofër e madhe prej guri, e rrethuar me shilte.

Studentët i kanë refuzuar më herët ftesat e Ramës për dialog, duke larguar stolat e vendosur përpara godinës së Kryeministrisë dhe duke u vënë flakën shilteve. Ata vijojnë të këmbëngulin në kërkesat e tyre, mes të cilave edhe dorëheqjen e kryeministrit.

Protesta kombëtare

Mobilizimi për protestën e 24 tetorit ka përfshirë disa grupe dhe organizata. Pedagogët pritet të mblidhen në orën 10:00 pranë Universitetit Politeknik.

Ndërkohë, Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias së Shqipërisë ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës në shenjë solidariteti me studentët, të rinjtë dhe qytetarët. Përmes një thirrjeje publike, sindikata ka ftuar anëtarët, artistët dhe punonjësit e kulturës e medias të mblidhen në orën 11:00 përpara Kryeministrisë.

Në njoftim, pjesëmarrja në protestë lidhet me përgjegjësinë qytetare për të ardhmen e vendit, si dhe me mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.

Edhe Partia Demokratike u ka bërë thirrje aktivistëve dhe forumeve të saj që në orën 12:00 të dalin në mbështetje të protestës studentore.

Në orën 14:00 pritet që grupet studentore të bashkohen në tubimin përpara Kryeministrisë. Mobilizimi është shtrirë edhe jashtë Tiranës, ku studentët kanë protestuar gjatë javës në qytetet ku ndodhen universitetet e tyre.

Studentët e rretheve pritet të udhëtojnë drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar protestës, ndërsa grupet studentore të Tiranës po komunikojnë me të rinjtë e qyteteve të tjera për të koordinuar pjesëmarrjen në tubimin kombëtar.