Publikimi i fotografive të qytetarëve, mes tyre edhe studentë, nga kryeministri Edi Rama ka sjellë reagimin e ashpër të Dhomës së Avokatisë Sarandë.
Avokatët e akuzojnë këtë praktikë se cenon prezumimin e pafajësisë, dinjitetin dhe privatësinë e individëve, ndërsa e krahasojnë me “fletërrufetë” e diktaturës, përmes të cilave njerëzit ekspozoheshin dhe stigmatizoheshin publikisht.
Përmes një njoftimi, kryetari i Dhomës, Rigels Dervishi, kërkon ndalimin e kësaj praktike, duke i kujtuar kryeministrit se pushteti nuk mund të përdoret për etiketimin dhe denigrimin e qytetarëve.
Reagimi i plotë:
Dhoma e Avokatisë Sarandë shpreh shqetësimin dhe kritikat e saj të forta ndaj publikimit nga Kryeministri i Shqipërisë të fotografive të personave, përfshirë studentë, të shoqëruara me pretendime për përfshirjen e tyre në vepra penale.
Praktika të tilla bien ndesh me frymën e legjislacionit të brendshëm dhe me standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të afirmuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Ekspozimi publik i individëve, duke i lidhur fotografitë e tyre me akuza penale, rrezikon të cenojë prezumimin e pafajësisë, dinjitetin, jetën private dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Edhe kur një person është dënuar me vendim të formës së prerë, ky fakt nuk përligj çdo formë ekspozimi dhe stigmatizimi publik. Rendi juridik njeh institutin e rehabilitimit dhe synimin e riintegrimit shoqëror të personave të dënuar, jo ndëshkimin e tyre të përhershëm përmes etiketimit publik.
Shfaqje të tilla të kujtojnë praktikën famëkeqe të “fletërrufeve”, përmes të cilave paraardhësit politikë të Kryeministrit ekspozonin dhe stigmatizonin individë, përfshirë të rinj. Rikthimi i kësaj fryme është i papranueshëm në një shoqëri demokratike.
Dhoma e Avokatisë Sarandë kërkon ndërprerjen e kësaj praktike dhe respektimin e të drejtave themelore të çdo individi. Kryeministri ka përgjegjësinë institucionale të garantojë respektimin e këtyre të drejtave dhe të shmangë përdorimin e autoritetit publik për etiketimin dhe denigrimin e qytetarëve.
KRYETARI I DHOMËS SË AVOKATISË SARANDË
Av. Rigels Dervishi
© SYRI.net
Studenti rrëzoi propagandën linçuese të Ramës/ BIRN: Kryeministria nuk na solli asnjë provë
Protesta kombëtare sot në Tiranë/ Studentët, pedagogët dhe sindikatat në shesh, PD thirrje shqiptarëve të bashkohen në orën 12:00
Shtypja me forcë e protestës në Tiranë, Rama çon Demon për ‘specializim’ në Itali