Një sulm me armë zjarri në Kalabri i mori jetën Silvana Sibarelli-t, 60 vjeçe, bashkëshortes së Damiano Pepe-s. Ky i fundit, 64 vjeç, u plagos rëndë. Hetuesit e konsiderojnë Pepe-n ndër personat me peshë në krimin e organizuar të zonës së Sibaritidës.
Ngjarja ndodhi pranë banesës së çiftit, rreth mesnatës, në Lattughelle, brenda territorit të komunës Cassano all’Ionio, në provincën e Cosenza-s, raportojnë mediat italiane.
Të lidhura
None found
Pas plagosjes, Pepe u dërgua fillimisht në spitalin e Corigliano Rossano-s dhe më pas u transferua në Cosenza. Gjendja e tij shëndetësore raportohet e rëndë; ai iu nënshtrua një operacioni të ndërlikuar.
Hetimet për zbardhjen e sulmit kanë nisur nga karabinierët e njësisë së Cassano all’Ionio, të cilët shkuan në vendngjarje. Ata po përpiqen të përcaktojnë se si u krye atentati, çfarë e motivoi dhe kush janë autorët. Për momentin, rrethanat e plota dhe identiteti i tyre mbeten nën hetim.







