Kryeministri Edi Rama ka përsëritur për të pestën ditë radhazi ftesën për dialog ndaj studentëve dhe protestuesve, këtë herë përmes një stoli të madh betoni të vendosur para godinës së Kryeministrisë, mbi të cilin janë vendosur fletë me mbishkrimin “DIALOG”.
Në një video të publikuar në Facebook me titullin “Mirëmëngjes”, kreu i qeverisë shfaq instalacionin e ri simbolik, pasi karriget e kuqe dhe stolat e vendosur më parë u hoqën nga protestuesit.
Pak ditë më parë, Rama rreshtoi karrige të kuqe për të përcjellë të njëjtin mesazh, por ato u hoqën dhe u thyen nga protestuesit, të cilët kanë bërë të qartë se nuk pranojnë bisedime pa dorëheqjen e kryeministrit.
Protestat kanë hyrë në ditën e 12-të dhe, krahas studentëve, në to janë përfshirë edhe pedagogë. Pavarësisht ftesave të përsëritura nga Rama, protestuesit vijojnë të refuzojnë dialogun dhe të kërkojnë largimin e tij nga detyra.
Ndërkohë, për sot është thirrur një tubim kombëtar në Tiranë, për të cilin kanë shprehur solidaritetin e tyre pedagogë, mjekë dhe sindikata e biznesit të vogël. Në orën 14:00 është paralajmëruar bashkimi i grupeve të studentëve në protestën para Kryeministrisë.

