As karriget e as blloqet e betonit nuk i afruan studentët për tu ulur në dialog me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Por, kreu i qeverisë nuk ka hequr dorë, dhe sot përpara zyrës së tij, ka vendosur disa jastëkë rreth një tavoline duke improvizuar një sofër, për të ftuar përsëri studentët për bisedime.
Karriget e drurit e ato plastiket, të vendosura ditët më përpara, janë thyer e janë hedhur drejt derës së kryeministrisë nga protestuesit.
Blloqet e betonit u përmbysën ndërsa studentët vijojnë të refuzojnë kategorikisht dialogun me Ramën, të cilit i kërkojnë vetëm dorëheqjen e parevokueshme.
Të rinjtë kanë lajmëruar vijimin e protestës dhe sot duke shënuar kështu ditën e 12-të.
Grumbullimet pritet të fillojnë në mesditë ndërsa vlen të theksohet se ditët e fundit, tubimi është zhvilluar paqësor.
Pjesëmarrës janë bërë dhe pedagogë ndërsa dje u bashkuan dhe mjekët në mbështetje të studentëve.