• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, October 24, 2026
  • Login
JavanewsJavanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
JavanewsJavanews
Home Bota

Bllokimi i trafikut në Arktik frenon ambiciet e Rusisë për një rrugë detare drejt Kinës

by Java News
24/10/2026 09:06
Bllokimi i trafikut në Arktik frenon ambiciet e Rusisë për një rrugë detare drejt KinësBllokimi i trafikut në Arktik frenon ambiciet e Rusisë për një rrugë detare drejt Kinës

Foto: Botë

Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Një grup cisternash ruse, që janë të sanksionuara, u ankoruan rreth 1.300 kilometra në veri të Rrethit Arktik në korrik, pasi mbetën të bllokuara dhe u detyruan të përgatiteshin për një pritje të gjatë në ujërat e ngrira në skajin verior të botës. Ndihma nga dy akullthyese, që funksionojnë me energji bërthamore, ishte disa ditë lundrim larg.

Anijet kishin mbetur të bllokuara në Ngushticën e Vilkitskit, një pikë e ngushtë detare që është 55 kilometra e gjerë dhe që gjendet midis bregdetit të Siberisë veriore dhe ishullit Bolshevik, në Rrugën Veriore Detare të Rusisë (NSR) drejt Kinës.

Kremlini ka investuar shumë në pritjet se tërheqja e akullit detar në Arktik do të hapë një rrugë që më parë ishte e pakalueshme – një rrugë që ndodhet më larg rrezes së sulmeve me dronë ukrainas dhe të mundësisë së ndërhyrjes së flotave detare evropiane kundër anijeve të flotës në hije.

Këtë vit, nëpërmjet NSR-së, eksportet ruse të naftës bruto dhe gazit të lëngshëm natyror (LNG) kanë arritur nivele rekord. Por, siç e tregon bllokimi i trafikut detar në Arktik, lundrimi nuk është gjithmonë i lehtë.

“Ky është një shembull i mirë i një prej mesazheve tona kryesore: më pak akull nuk nënkupton lundrim më të lehtë”, tha për Radion Evropa e Lirë Ksenia Vakhrusheva, drejtuese e projektit për Arktikun në organizatën mjedisore Bellona, me seli në Lituani.

“Kur akulli shkrihet, pjesë të tij shkëputen dhe pluskojnë dhe ndonjëherë ndodh që në vende të caktuara, veçanërisht nëpër ngushtica, akulli grumbullohet dhe një anije pa klasifikimin e duhur për lundrim në akull nuk mund të kalojë”, shtoi ajo.

Vakhrusheva iu referua klasifikimit që përcakton shkallën në të cilën një anije është e aftë të përballojë akullin detar. Mungesa e anijeve të këtij lloji në Rusi është një nga disa faktorët që pengojnë zhvillimin e NSR-së, pavarësisht deklaratave optimiste të presidentit rus, Vladimir Putin, dhe zyrtarëve të tjerë rusë për këtë rrugë.

“Rrugë e sigurt”

NSR-ja ka “rëndësi kyç në situatën e tanishme sfiduese ndërkombëtare – është një rrugë e besueshme dhe e sigurt drejt tregjeve më të mëdha të botës”, tha Putin muajin e kaluar, gjatë ceremonisë së nisjes së projektit kryesor të naftës, Vostok Oil, në Gadishullin Tajmir, në jug të Ngushticës së Vilkitskit.

Putin tha se në vitin 2025, përgjatë kësaj rruge ishin transportuar 37 milionë tonë mallra, ndonëse jo përgjatë gjithë gjatësisë së saj, dhe parashikoi se kjo shifër do të “dyfishohej” deri në vitin 2030. Në fakt, që në vitin 2019, zyrtarët e Kremlinit janë përpjekur të përmbushin objektivin e Putinit prej 80 milionë tonësh deri në vitin 2024.

Kjo është vetëm një nga mënyrat se si shifrat tregojnë një tablo më të ndërlikuar për NSR-në.

Deri në fund të muajit të kaluar, Qendra për Logjistikën e Veriut të Largët (CHNL), e financuar nga Norvegjia, raportoi se Rusia kishte transportuar rreth 2 milionë tonë ngarkesa, kryesisht naftë bruto, ose afërsisht 15 milionë fuçi, përgjatë gjithë NSR-së drejt Kinës dhe destinacioneve të tjera aziatike. Shumica e këtyre ngarkesave ishin nisur nga porti i Murmanskut, në Detin Barent.

Deri në mesin e muajit tetor, shifra u rrit në rreth 20 milionë fuçi, raportoi Reuters, duke cituar tregtarë dhe të dhëna për transportin detar. Kjo përbën një rritje prej 50 për qind krahasuar me vitin 2025. Megjithatë, në të njëjtën kohë, kjo sasi përfaqëson vetëm rreth 1 për qind të eksporteve të përgjithshme të naftës ruse që transportohet përmes rrugëve detare.

“Pa dyshim, atje ka një rritje të ndjeshme të aktivitetit. Megjithatë, ajo nis nga një nivel relativisht i ulët”, tha për Radion Evropa e Lirë Tomas Alexa, analist në kompaninë e konsulencës për sigurinë detare Ambrey.

“Mesazhi i drejtohet kryesisht audiencës së brendshme, por edhe Indisë dhe Kinës. Rusia po përpiqet të riafirmojë veten si një partnere e besueshme, e aftë të sigurojë sasitë e dakorduara ose të parashikuara”.

Alexa shtoi se, ndonëse Rusia ka vënë në shërbim një numër anijesh të reja të afta të lundrojnë në Arktik, aftësia e saj për t’i ndërtuar dhe mirëmbajtur këto anije, si dhe infrastrukturën tjetër në rajon, është penguar në mënyrë të konsiderueshme nga sanksionet perëndimore.

“Pjesët e këmbimit dhe materialet e ndërtimit shpesh duhet të sigurohen përmes palëve të treta për të shmangur regjimet e sanksioneve, sepse ato mund të bliheshin vetëm nga Shtetet e Bashkuara, Japonia, Koreja e Jugut ose Evropa”, tha ai. Ai shtoi se mirëmbajtja dhe riparimet më parë kryheshin nga kompani norvegjeze, daneze dhe holandeze, të cilat tani nuk janë më të gatshme t’i ofrojnë këto shërbime.

Një front i ri

Ndonëse pjesa dërrmuese e transportit përgjatë kësaj rruge përbëhet nga eksportet ruse të energjisë, edhe vende të tjera po nisin të provojnë të lundrojnë nëpër këto ujëra të ftohta.

Më 22 tetor, Qeveria e Koresë së Jugut njoftoi se anija e parë kontejner e vendit kishte përdorur këtë rrugë. Ajo e vlerësoi si një rrugë më të shkurtër drejt Evropës, por vuri në pah edhe kushtet e vështira, përfshirë masat e mëdha të akullit lundrues në ngushticat e Beringut dhe të Vilkitskit.

Këtë vit, Kina, për herë të parë, nisi një shërbim të rregullt transporti me anije kontejnerë drejt Evropës përgjatë NSR-së, duke realizuar disa udhëtime.

Catherine Sendak, drejtuese e programit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Transatlantike në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane (CEPA), tha se ka pikëpyetje të mëdha lidhur me mënyrën se si Rusia do ta menaxhojë këtë rrugë.

“Rusia e konsideron Arktikun, pjesën më të madhe të tij, si territor të vetin dhe mendon se… kjo është një rrugë e brendshme ujore”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

“Ka pasur diskutime për tarifat e kalimit… dhe për atë që autoritetet ruse do t’u ofronin anijeve tregtare që kalojnë nëpër këtë rrugë”, u shpreh ajo.

“Nuk mendoj se për momentin ka përgjigje të qarta për këto çështje. Do të më interesonte të shihja nëse pas një viti Rusia ende do të mendojë se përdorimi i kësaj rruge është në interesin e saj më të mirë, por ndoshta pa e hapur atë aq shumë për aktorët e tjerë”.

Një raport i CEPA-s i publikuar në shtator tha se “Rusia po e shndërron Arktikun në një fortesë”. Zyrtarët në Uashington, Bruksel dhe vende të tjera kanë përdorur gjuhë të ngjashme.

“Me rritjen e pranisë dhe ambicieve të Rusisë dhe Kinës, Arktiku është shndërruar në një vijë të frontit të konkurrencës globale për pushtet”, tha shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, më 21 tetor, teksa prezantoi një strategji të re të BE-së për Arktikun. “Qasja në rrugët detare të Arktikut dhe në burimet natyrore është me interes strategjik për BE-në”.

NATO-ja nisi në shkurt misionin e ri Roja e Arktikut, me qëllim shtimin e pranisë së saj në rajon. Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara njoftuan për planet për të zgjeruar praninë e tyre ushtarake në Grenlandë, si pjesë e një marrëveshjeje që synon po ashtu kapërcimin e një përplasjeje të ashpër brenda aleancës, të nxitur nga thirrja e presidentit amerikan, Donald Trump, që ishulli të vihet nën sovranitetin e SHBA-së.

Krahas shqetësimeve të sigurisë, organizata si Bellona vazhdojnë të tërheqin vëmendjen ndaj rreziqeve mjedisore që vijnë nga rritja e transportit detar në rajon, veçanërisht nga cisternat e vjetra dhe të mirëmbajtura keq të flotës në hije, si disa prej atyre që mbetën të bllokuara në Ngushticën e Vilkitskit.

Vetëm njëra prej tyre arriti të kalonte. Anijet e tjera në fund gjetën një rrugë alternative, pasi pritën deri në dy javë për akullthyeset, por sërish nuk arritën të lundronin përmes ngushticës.

“Një rrjedhje nafte në mjedisin e Arktikut është më e rrezikshme për natyrën sesa në pjesët e tjera të botës, sepse degradimi natyror i naftës në temperatura të ulëta është shumë më i ngadaltë sesa në rajonet më të ngrohta. Për më tepër, nafta mund të përhapet edhe mbi akull, gjë që mund t’i përshpejtojë efektet e ndryshimeve klimatike”, tha Vakhrusheva.

“Rusia nuk publikon asnjë informacion për incidentet ose aksidentet përgjatë Rrugës Veriore Detare, ndërsa zona është aq e madhe dhe e largët, saqë nuk ka organizata të pavarura apo aktivistë që mund të raportojnë për ndonjë ngjarje”, paralajmëroi ajo.

The post Bllokimi i trafikut në Arktik frenon ambiciet e Rusisë për një rrugë detare drejt Kinës appeared first on Euronews Albania.

Burimi: Botë

Next Post
Dita e sotme me kthjellime dhe shtim gradual vranësirash, pasditja me reshje shiu

Vranësira të herëpashershme dhe temperatura të qëndrueshme, parashikimi i motit për ditën e sotme!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut bashkojnë grupet e mëdha politike në Parlamentin Europian

Dhuna në protestë, 12 eurodeputetë i kërkojnë Kaja Kallas në PE hetimin e propocionalitetit të Policisë, mes tyre edhe Beleri!

October 24, 2026
Franca dhe Britania zhvillojnë stërvitjen e parë të përbashkët për simulim e sulmit bërthamor

Franca dhe Britania zhvillojnë stërvitjen e parë të përbashkët për simulim e sulmit bërthamor

October 24, 2026
Dita e sotme me kthjellime dhe shtim gradual vranësirash, pasditja me reshje shiu

Vranësira të herëpashershme dhe temperatura të qëndrueshme, parashikimi i motit për ditën e sotme!

October 24, 2026
Bllokimi i trafikut në Arktik frenon ambiciet e Rusisë për një rrugë detare drejt Kinës

Bllokimi i trafikut në Arktik frenon ambiciet e Rusisë për një rrugë detare drejt Kinës

October 24, 2026
Tjetër precedent/ Dyshohet se dhunoi 4-vjeçarin në një kopsht në Korçë, edukatorja arrestohet pas denoncimit të nënës!

Tjetër precedent/ Dyshohet se dhunoi 4-vjeçarin në një kopsht në Korçë, edukatorja arrestohet pas denoncimit të nënës!

October 24, 2026
Rama nuk heq dorë nga kërkesa për dialog ndaj protestuesve, vendos tavolinë guri dhe ndenjëse para Kryeministrisë! (VIDEO)

Rama nuk heq dorë nga kërkesa për dialog ndaj protestuesve, vendos tavolinë guri dhe ndenjëse para Kryeministrisë! (VIDEO)

October 24, 2026
Shtëpia e Bardhë heq tarifat për disa mallra kanadeze dy javë para zgjedhjeve në SHBA

Shtëpia e Bardhë heq tarifat për disa mallra kanadeze dy javë para zgjedhjeve në SHBA

October 24, 2026
Përfshihet nga flakët rezidenca e Hitlerit në Gjermani, arrestohet një i dyshuar

Përfshihet nga flakët rezidenca e Hitlerit në Gjermani, arrestohet një i dyshuar

October 24, 2026
Kim Jong Un bën thirrje për “revolucion ushtarak”: Le të ngremë ushtrinë më të fortë

Kim Jong Un bën thirrje për “revolucion ushtarak”: Le të ngremë ushtrinë më të fortë

October 24, 2026
Stuhia Austen godet Francën dhe Britaninë, 300 mijë banesa mbeten pa energji elektrike

Stuhia Austen godet Francën dhe Britaninë, 300 mijë banesa mbeten pa energji elektrike

October 23, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In