Një edukatore në Korçë është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një fëmije 4-vjeçar në kopshtin ku ai qëndronte. Rasti është denoncuar nga nëna e të miturit, e cila vuri re se prej disa ditësh djali nuk ishte në gjendje të mirë.
Sipas të dhënave paraprake, 4-vjeçari i kishte treguar nënës se ishte goditur nga edukatorja. Pas kallëzimit, policia nisi verifikimet dhe shqyrtoi edhe pamjet filmike të kopshtit.
Në përfundim të veprimeve hetimore, edukatorja u arrestua për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”. Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë së Korçës për vijimin e procedurave ligjore.
