U kap me 1 milion euro në shkurt të këtij viti, arrestohet i dyshuari - nuk arriti të dëshmojë prejardhjen e tyre
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në Prokurorinë Speciale është paraqitur për intervistim një i dyshuar lidhur me rastin kur tre persona u kapën duke transportuar 1 milion euro në pikëkalimin në Merdar më 24 shkurt të këtij viti.
Rasti është cilësuar si pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar.
“Gjermani - Kosovë 24.02.2026 – NN. Më 23.10.2026 në PSRK është paraqitur për intervistim i dyshuari mashkull shtetas i Gjermanisë, për shkak se më 24.02.2026 në vendkalimin kufitar në Merdare në automjetin me targa të Shqipërisë në një hapësirë të modifikuar brenda në automjet, janë gjetur dhe sekuestruar 1.000.000 (një milion) euro”, thuhet në raportin policor.
I dyshuari gjatë intervistimit ka pranuar se paratë e konfiskuara kanë qenë të tij, por nuk ka arritur të dëshmojë prejardhjen e parave dhe lidhjen me personat e dyshuar që kanë bërë transportin e tyre.
I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/





























