Një pritë mafioze në zonën e Cassano all’Ionio, në provincën e Cosenzës në Itali, i ka marrë jetën Silvana Sibarellit dhe ka lënë të plagosur rëndë bashkëshortin e saj, Damiano Pepe, 64 vjeç.
Sulmi ndodhi rreth mesnatës në lagjen Lattughelle, pranë banesës së çiftit. Sipas të dhënave paraprake, objektivi i atentatit ishte Pepe, të cilin hetuesit e konsiderojnë një figurë të rëndësishme të krimit të organizuar në zonën e Sibaritides.
Dyshohet se autorët kishin zënë pritë pranë shtëpisë së tij. Si pasojë e të shtënave, bashkëshortja humbi jetën, ndërsa 64-vjeçari mbeti i plagosur rëndë.
Në vendngjarje mbërritën karabinierët e kompanisë së Cassano all’Ionio, të cilët po hetojnë për zbardhjen e rrethanave të sulmit dhe identifikimin e autorëve.
