Marc Marquez i dha një goditje Botërorit të MotoGP duke dominuar Garën Sprint në Philip Island, Australi, dhe duke u rikthyer në krye të klasifikimit të përgjithshëm. Piloti spanjoll mori fitoren pas një gare ku në nisje u formua një duel i ashpër mes tij dhe Jorge Martin, të cilët u shkëputën menjëherë dhe nisën një seri parakalimesh dhe kundërparakalimesh.
Në përpjekjet për të qenë më i shpejtë, Martin kreu disa gabime që favorizuan Ducatin e kampionit të botës. Me gjashtë xhiro nga fundi ndodhi episodi vendimtar: Martin rrëshqiti, një incident që i kushtoi garën dhe kryesimin e kampionatiti, dhe për shkak të dhimbjes u dërgua në qendrën mjekësore në barelë. Pas këtij momenti, Marquez siguroi fitoren me një avantazh të qartë.
Në podium, vëllai i tij Alex Marquez përfundoi i dyti, ndërsa vendin e tretë e zuri Fabio Di Giannantonio. Marco Bezzecchi u pozicionua i katërti, pas një serie parakalimesh të shumta gjatë garës. Ngjarjet e Sprint-it ndryshuan edhe renditjen e përgjithshme: Marc Marquez tani ndodhet 10 pikë përpara Jorge Martin në krye të klasifikimit. Për pasojë, Martin do të mungojë në garën klasike të së dielës.
