Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasen Ermalinda Rama, të akuzuar për vrasjen e babait të saj, si dhe nënën e saj, Valbona Rama, e cila akuzohet se ka ndërhyrë për të fshehur gjurmët e krimit.

Ngjarja ndodhi më 23 korrik 2025, në banesën e familjes në fshatin Frashër të Patosit. Sipas Prokurorisë, vajza i ka shtrënguar qafën të atit, Anesti Rama, me një lak teli, duke i shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme. Pas ngjarjes, përpara mbërritjes së policisë, bashkëshortja e viktimës dyshohet se ka pastruar ambientin ku ai u gjet dhe ka larë trupin e tij. Sipas organit të akuzës, këto veprime kishin për qëllim ndryshimin ose fshehjen e gjurmëve dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Përfundimet e hetimit janë mbështetur në deklarimet e administruara, ekspertimin mjekoligjor, këqyrjen e vendit të ngjarjes, sendet e sekuestruara dhe prova të tjera. Ermalinda Rama është dërguar në gjyq për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa nëna e saj, për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

NJOFTIMI
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM FIER

Prokuroria Fier përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen E.R. për vrasjen e babait të saj dhe të ëmën për fshehjen e gjurmëve të krimit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen E.R., e akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’ parashikuar nga neni 79/a të Kodit Penal dhe shtetasen V.R., e akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, parashikuar nga neni 301 të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve, mbi procedimin penal nr.1073/2025, rezultoi se më 23/07/2025, në banesën e familjes, në fshatin Frashër, Patos, shtetasja E.R. ka vrarë babain e saj, shtetasin A.R., duke i shtrënguar qafën me një lak teli, duke i shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme.

Pas ngjarjes dhe përpara mbërritjes së shërbimeve të policisë, shtetasja V.R., bashkëshortja e viktimës dhe nëna e të akuzuarës, ka kryer veprime për pastrimin e ambientit ku u gjet viktima dhe për larjen e trupit të tij. Këto veprime kanë pasur si qëllim ndryshimin ose fshehjen e gjurmëve dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Nga analiza e deklarimeve të administruara, rezultateve të ekspertimit mjeko-ligjor, këqyrjes së vendit të ngjarjes, sendeve të sekuestruara dhe provave të tjera të administruara gjatë hetimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Pëtgjithshëm Fier arriti në përfundimin se shtetasja E.R. ka kryer veprimet që kanë sjellë vdekjen e babait të saj, ndërsa shtetasja V.R. ka kryer veprimet e mësipërme me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb