Këngëtarja e njohur Ingrit Gjoni ishte e ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Live me Luizin”, ku foli për raportin e saj me Çiljeta Xhilagën. Gjatë intervistës, Luiz Ejlli zhvilloi me të një lojë, duke i treguar fotografi që ajo duhej t’i identifikonte përmes përshkrimeve të tij.
Kur në ekran u shfaq fotografia e Çiljetës, Luizi e pyeti Ingritin nëse miqësia e tyre i kishte rezistuar kohës.
Gjoni tregoi se marrëdhënia mes tyre vazhdon, megjithëse ka pasur disa ndryshime. Ajo u shpreh se Çiljeta mbetet një shoqe e zemrës, por tashmë kalon pushimet me shoqe të tjera.
“Po, i ka rezistuar, me ca devijime të vogla, se ajo ka bërë shoqe më të ngushta në jetën e vet”, u shpreh këngëtarja, duke e trajtuar situatën me humor.
Më tej, Ejlli e pyeti se përse publiku i kishte parë dikur si rivale. Ingrit Gjoni shpjegoi se në fillimet e karrierës ato ishin konkurrente, pasi performonin në klube të ndryshme dhe shpesh njëra këndonte në një lokal, ndërsa tjetra në të njëjtin vend të nesërmen.
Një tjetër moment interesant i intervistës ishte mungesa e ndjekjes së ndërsjellë në Instagram. E pyetur për këtë, këngëtarja zbuloi me humor se kishte vendosur ta hiqte Çiljetën nga lista e personave që ndiqte, pasi ajo nuk kishte zgjedhur të shkonte me pushime me të.
“Me thënë të drejtën, e hoqa nga Instagrami. Tjetër, pardje ishim bashkë për darkë. Por preferoj ta heq se nuk zgjodhi të shkojë pushime me mua. Jam mërzitur shumë”, tha ajo me ironi.
Sipas Gjonit, Çiljeta nuk e ka hequr atë nga Instagrami, por i kërkon të rikthejë ndjekjen, duke i thënë: “Më bëj se lë nam”.
Rrëfimi i këngëtares solli të qeshura në studio, ndërsa ajo la të kuptohej se, pavarësisht ndryshimeve dhe batutave, miqësia mes tyre vijon.
