Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasen E.R., e akuzuar për vrasjen e babait të saj në Patos, A.R., duke i shtrënguar qafën me një lak teli, çka i ka shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme.
Ndërkohë, në gjyq është dërguar edhe e ëma e vajzës, shtetasja V.R., e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen E.R., e akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’ parashikuar nga neni 79/a të Kodit Penal dhe shtetasen V.R., e akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, parashikuar nga neni 301 të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve, mbi procedimin penal nr.1073/2025, rezultoi se më 23/07/2025, në banesën e familjes, në fshatin Frashër, Patos, shtetasja E.R. ka vrarë babain e saj, shtetasin A.R., duke i shtrënguar qafën me një lak teli, duke i shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme.
Pas ngjarjes dhe përpara mbërritjes së shërbimeve të policisë, shtetasja V.R., bashkëshortja e viktimës dhe nëna e të akuzuarës, ka kryer veprime për pastrimin e ambientit ku u gjet viktima dhe për larjen e trupit të tij. Këto veprime kanë pasur si qëllim ndryshimin ose fshehjen e gjurmëve dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës.
Nga analiza e deklarimeve të administruara, rezultateve të ekspertimit mjeko-ligjor, këqyrjes së vendit të ngjarjes, sendeve të sekuestruara dhe provave të tjera të administruara gjatë hetimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Pëtgjithshëm Fier arriti në përfundimin se shtetasja E.R. ka kryer veprimet që kanë sjellë vdekjen e babait të saj, ndërsa shtetasja V.R. ka kryer veprimet e mësipërme me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.”– thuhet në njoftim.













