Elia Caprile mori dje pasaportën shqiptare me dekret të presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. Portieri i Cagliarit, që luan në Serie A, është tashmë shtetas shqiptar krahas shtetësisë italiane.
Në vendimin e Capriles ka ndikuar edhe bashkëshortja e tij me origjinë shqiptare, Emili Toshkollari. Megjithatë, sipas kushteve të paraqitura nga gazetari sportiv Gentjan Alinani, pasaporta nuk mjafton që ai të veshë fanellën kuqezi, nëse FSHF shpreh interes për ta ftuar.
Të lidhura
None found
Hapi i parë është që Federata t’i paraqesë FIFA-s një kërkesë, e cila duhet të marrë miratimin e saj. Për dhënien e lejes, FIFA merr parasysh nëse lojtari ka lindur në territorin e federatës për të cilën dëshiron të luajë, ose nëse aty kanë lindur prindërit apo gjyshërit e tij.
Nevojitet gjithashtu vullneti i vetë lojtarit: Caprile duhet të deklarojë publikisht se dëshiron të përfaqësojë Shqipërinë dhe t’ia paraqesë këtë kërkesë FIFA-s. Ai nuk ka luajtur asnjë ndeshje me Kombëtaren A të Italisë, ndaj ndryshimi do të ishte thjesht procedural.
Që ish-kampioni i Italisë me Napolin, njëherësh shok skuadre i portierit tjetër kuqezi Alen Sherri, të luajë për Shqipërinë, duhet të përmbushen këto kushte.






