Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet për vrasjen e 56-vjeçarit Anesti Rama dhe ka dërguar çështjen në gjyq. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 më 23 korrik 2025 në banesën e familjes në fshatin Frashër të Patosit. Si e akuzuar për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare është dërguar në gjyq vajza e tij, 26-vjeçarja Ermalinda Rama, ndërsa nënën e saj, e identifikuar me inicialet V.R., Prokuroria e akuzon për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Sipas organit të akuzës, e reja dyshohet se i shtrëngoi të atit qafën me një lak teli, duke shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme. Para mbërritjes së Policisë, bashkëshortja e viktimës dhe nëna e të akuzuarës dyshohet se kryen veprime për pastrimin e ambientit ku u gjet trupi dhe për larjen e tij, me qëllim ndryshimin ose fshehjen e gjurmëve të krimit dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës.
Prokuroria thotë se në përfundimet e saj ka marrë në konsideratë deklarimet administruar, rezultatet e ekspertimit mjekoligjor, këqyrjen e vendit të ngjarjes, sendet e sekuestruara dhe provat e tjera të mbledhura gjatë hetimit. Hetimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë, zbuluan dyshimet për vrasje me mbytje me tel. Sipas raportimeve të mëparshme, 26-vjeçarja kishte njoftuar autoritetet se babai i saj kishte humbur jetën në rrethana aksidentale, por dyshimet e krijuara në veprimet e para hetimore çuan në hetim të mëtejshëm.
Policia bëri me dije se e reja kishte pranuar autorësinë e krimit, ndërsa nëna e saj u shoqërua për t’u hetuar mbi rolin e dyshuar në pastrimin e trupit. Me përfundimin e hetimeve dhe dërgimin e çështjes në gjykatë, do të jetë gjykata ajo që do të shqyrtojë provat dhe do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të të pandehurave. Ermalinda Rama akuzohet sipas nenit 79/a të Kodit Penal për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, ndërsa V.R. sipas nenit 301 për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Të dyja prezumohen të pafajshme deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
