I mori jetën babait duke e mbytur me tel, Prokuroria e Fierit çon në gjyq vajzën dhe të nënën që fshehu krimin

Prokuroria e Fierit,  ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dy shtetase, nënë e bijë, të përfshira në vrasjen e një burri në fshatin Frashër të Patosit, në korrik të vitit 2025.

Vajza Ermalinda Rama, akuzohet se vrau babanë e saj, Anesti Rama, ndërsa nëna, Valbona Rama, akuzohet se kreu veprime për të fshehur gjurmët e krimit dhe për të penguar zbulimin e së vërtetës.

Të lidhura

None found

Sipas hetimeve të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 23 korrik 2025, në banesën e familjes. 26-vjeçarja dyshohet se i ka shtrënguar qafën të atit me një lak teli, duke i shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme.

Pas ngjarjes, përpara mbërritjes së shërbimeve të policisë, bashkëshortja e viktimës dhe nëna e të akuzuarës, Valbona Rama, ka pastruar ambientin ku u gjet trupi dhe ka larë trupin e viktimës.

Nga analiza e provave, Prokuroria e Fierit ka arritur në përfundimin se Ermalinda Rama ka kryer veprimet që i kanë shkaktuar vdekjen babait të saj, ndërsa Valbona Rama ka ndërhyrë për të penguar zbulimin e së vërtetës.

Njoftimi i prokurorisë Fier:

Prokuroria Fier përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen E.R. për vrasjen e babait të saj dhe të ëmën për fshehjen e gjurmëve të krimit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen E.R., e akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’ parashikuar nga neni 79/a të Kodit Penal dhe shtetasen V.R., e akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, parashikuar nga neni 301 të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve, mbi procedimin penal nr.1073/2025, rezultoi se më 23/07/2025, në banesën e familjes, në fshatin Frashër, Patos, shtetasja E.R. ka vrarë babain e saj, shtetasin A.R., duke i shtrënguar qafën me një lak teli, duke i shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme.

Pas ngjarjes dhe përpara mbërritjes së shërbimeve të policisë, shtetasja V.R., bashkëshortja e viktimës dhe nëna e të akuzuarës, ka kryer veprime për pastrimin e ambientit ku u gjet viktima dhe për larjen e trupit të tij. Këto veprime kanë pasur si qëllim ndryshimin ose fshehjen e gjurmëve dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Nga analiza e deklarimeve të administruara, rezultateve të ekspertimit mjeko-ligjor, këqyrjes së vendit të ngjarjes, sendeve të sekuestruara dhe provave të tjera të administruara gjatë hetimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Pëtgjithshëm Fier arriti në përfundimin se shtetasja E.R. ka kryer veprimet që kanë sjellë vdekjen e babait të saj, ndërsa shtetasja V.R. ka kryer veprimet e mësipërme me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.


Quantcast