Franca do të angazhojë 70 mijë efektivë policie në të gjithë vendin për protestat e së shtunës, me synimin për të parandaluar përsëritjen e dhunës dhe plaçkitjeve që tronditën vendin fundjavën e kaluar. Lajmin e bëri të ditur të premten ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez.
Krahas forcave të zakonshme të policisë, në terren do të angazhohen edhe njësi elitare të sigurisë dhe skuadra të lëvizshme të armatosura rëndë. Sipas ministrit, numri i efektivëve do të jetë 10 mijë më i lartë se një javë më parë.
“Do të jemi të pakompromis ndaj trazirave, plaçkitjeve dhe të gjithë atyre që kryejnë akte dhune”, deklaroi Nuñez para gazetarëve. Ai paralajmëroi gjithashtu se grupe të së majtës radikale po u bëjnë thirrje aktivistëve në internet të sulmojnë ndërtesat publike dhe të shkaktojnë trazira të tjera, përcjell Reuters.
“Ky nuk është një demonstrim i qetë dhe miqësor. Jemi gati për nesër. Do të jemi jashtëzakonisht vigjilentë dhe të vendosur dhe nuk do të tolerojmë asgjë”, shtoi ministri.
Protestat e javëve të fundit janë nxitur nga pakënaqësitë për koston e jetesës dhe presionin mbi shërbimet publike, duke nxjerrë në rrugë studentë, punonjës dhe sindikata. Autoritetet, megjithatë, thonë se grupe radikale dhe të rinj që kryejnë plaçkitje po përfitojnë nga situata për të shkaktuar kaos.
Tensionet janë shtuar edhe pas një sulmi me armë zjarri të premten në perëndim të Parisit. Një person hapi zjarr nga një automjet, duke vrarë një njeri dhe plagosur katër të tjerë, mes tyre një vajzë 12-vjeçare. Autoritetet dyshojnë se autori mund të jetë motivuar nga urrejtja ndaj myslimanëve.
Kryetari i bashkisë së zonës, Ali Rabeh, e cilësoi ngjarjen si “objektivisht një sulm racist” dhe akuzoi retorikën e së djathtës ekstreme se po nxit tensionet.
Disa politikanë të së djathtës ekstreme kanë fajësuar emigrantët dhe islamizmin radikal për trazirat, akuza që presidenti Emmanuel Macron i ka kundërshtuar.
Në Paris, policia ka autorizuar vetëm një demonstratë të organizuar nga sindikatat për të shtunën, duke refuzuar kërkesat për tubime të paraqitura nga sindikata kryesore studentore e Francës, UNEF, dhe lëvizja “Jelekët e Verdhë”. Kjo e fundit u shfaq në vitin 2018 si një lëvizje kundër establishmentit politik.
Edhe disa qytete të tjera kanë ndaluar protestat, ndërsa Marseja ka tërhequr një vendim të mëparshëm kufizues dhe ka lejuar zhvillimin e një demonstrate sindikale. UNEF ka deklaruar se tubimet e saj do të zhvillohen pavarësisht ndalimeve. Protestat studentore nisën pas pakënaqësive për mungesën e mësuesve dhe kushtet e dobëta në shkolla.
Përveç policisë, autoritetet do të përdorin helikopterë, dronë, sisteme kundër dronëve, mjete të blinduara dhe automjete me topa uji. Shtetrrethimet e vendosura gjatë javës në disa zona të ndjeshme do të mbeten në fuqi.
Shqetësim për autoritetet përbën edhe kongresi i përvitshëm i partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar, të Marine Le Pen, që zhvillohet këtë fundjavë në Orléans. Grupet e majta dhe organizatat antiraciste kanë paralajmëruar kundërprotesta.
Rritja e dhunës ka ndikuar në rritjen e mbështetjes në sondazhe për Le Pen, e cila konsiderohet ndër emrat kryesorë në garën presidenciale të vitit të ardhshëm. Ajo e ka paraqitur situatën si dëshmi të dobësimit të autoritetit të shtetit.
Për shkak të rrezikut të trazirave të reja, disa prej institucioneve më të njohura kulturore të Parisit, përfshirë Luvrin, Muzeun d’Orsay dhe Operën, kanë njoftuar se do të qëndrojnë të mbyllura gjatë gjithë së shtunës.
Ndeshja e futbollit mes Paris Saint-Germain dhe Olympique Lyonnais, e vlefshme për kampionatin francez, është shtyrë nga e diela për të hënën për arsye sigurie. Ndërkohë, ndeshja e sezonit të rregullt të NFL-së mes Pittsburgh Steelers dhe New Orleans Saints, e planifikuar për të dielën në Paris, mbetet në kalendar, megjithëse presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar anulimin e saj.
Shoqatat e biznesit u kanë kërkuar dyqaneve të qëndrojnë të mbyllura, pasi rreth 3 mijë dyqane dhe biznese u plaçkitën fundjavën e kaluar. Kreu i Dhomës së Tregtisë së Francës, Alain Di Crescenzo, tha se disa tregtarë po pajisen me shkopinj bejsbolli, leva dhe armë gjahu për të mbrojtur pronat e tyre, por u bëri thirrje të mos përdorin dhunë.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese. Nuk është detyra e tyre të bëjnë këtë. Kjo vetëm do t’i shtonte vuajtjet”, deklaroi ai.
Trazirat kanë shtuar gjithashtu shqetësimet për ekonominë franceze. Agjencia e vlerësimit të kreditit Moody’s pritej të njoftonte të premten një vendim për uljen e mundshme të vlerësimit të kreditit të Francës, në një kohë kur qeveria po përballet me kritika për moskontrollimin e shpenzimeve publike.