Media greke “Protothema” i ka kushtuar vëmendje zhvillimeve në Shqipëri, duke u ndalur te kallëzimin penal të paraqitur nga qendra “Res Publica”, organizata, avokatë, studentë dhe qytetarë, të cilët kërkojnë hetimin e përgjegjësive për veprimet e forcave të policisë gjatë protestave në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Sipas kallëzuesve, janë dokumentuar më shumë se 180 raste që lidhen me dhunën fizike ndaj protestuesve, përdorimin jopoporcional të forcës, shoqërimet e dhunshme në polici, si dhe operacionet e kryera nga efektivë me fytyra të mbuluara dhe pa shenja identifikuese.
Kallëzimi drejtohet kundër drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe zyrtarëve të tjerë. Kërkohet gjithashtu shqyrtimi i rolit të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Demo, lidhur me urdhrat që mund të jenë dhënë dhe komunikimet me drejtuesit e operacioneve policore.
Kallëzuesit argumentojnë se përsëritja e rasteve të ngjashme kërkon një hetim të plotë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për veprime të izoluara të efektivëve apo për një praktikë më të gjerë të organizuar të shtypjes dhe frikësimit të protestuesve.
Për këtë arsye, ata i kërkojnë SPAK-ut të hetojë të gjithë zinxhirin komandues, me qëllim identifikimin e personave që mund të kenë planifikuar, urdhëruar, zbatuar ose toleruar veprimet e denoncuara.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe pretendimeve për përfshirjen e personave me rroba civile në shoqërimet e dhunshme, si dhe pranisë së efektivëve me kapuçë dhe pa shenja të dukshme identifikimi.
Ndërkohë, tensionet pritet të zhvendosen sërish në rrugë. Dy sindikata të arsimit kanë njoftuar mbështetjen e tyre për protestën kombëtare studentore të së shtunës, më 24 tetor, duke zgjeruar përkrahjen për kërkesat e të rinjve.
Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë (SPASH) u ka bërë thirrje anëtarëve të saj të marrin pjesë në tubimin e planifikuar në orën 11:00 përpara Kryeministrisë në Tiranë. Ndërkohë, në orën 14:00, sindikata ka planifikuar një tjetër prani pranë Ministrisë së Arsimit, në shenjë solidariteti me studentët.
Në deklaratën e saj, SPASH thekson se zëri i komunitetit arsimor duhet të dëgjohet dhe të respektohet. Sindikata e lidh protestën me dinjitetin e mësuesve, përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe perspektivën e brezit të ri.
Në mbështetje të studentëve është rreshtuar edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar (SBASH), e cila ka shprehur solidaritetin me sindikatën e punonjësve të universiteteve.
Kjo organizatë nënvizon se sulmet ndaj punonjësve të arsimit dëmtojnë të gjithë sistemin arsimor, ndërsa u bën thirrje palëve për një qëndrim të përbashkët kundër padrejtësive dhe shkeljeve të të drejtave.
Mbështetja e dy sindikatave i jep një dimension më të gjerë protestave, të cilat nuk kufizohen vetëm te kërkesat e studentëve, por përfshijnë edhe shqetësime për gjendjen e arsimit dhe të drejtat e punonjësve të tij.
Sipas raportimit të “Protothema”, qeveria shqiptare përballet me dy zhvillime paralele: nga njëra anë, denoncimet për abuzime të pretenduara policore dhe kërkesat për hetimin e përgjegjësive në nivelet e larta të drejtimit; nga ana tjetër, protestat e studentëve dhe komunitetit arsimor.
Vëmendja është përqendruar te ecuria e kallëzimit penal në SPAK, ashtu edhe te pjesëmarrja në protestat e reja. Organizatorët kërkojnë respektimin e të drejtave, ndryshime konkrete në arsim dhe hetimin e rasteve të denoncuara të dhunës policore.
Në raportimin e saj, media greke i referohet edhe të dhënave të agjencisë Associated Press (AP) për përplasjet e mëparshme në Tiranë. Sipas këtyre të dhënave, 167 persona ishin arrestuar, ndërsa policia kishte raportuar 132 efektivë të plagosur. Gjithashtu, shtatë punonjës policie ishin pezulluar nga detyra në pritje të hetimeve për denoncimet lidhur me përdorimin e tepruar të forcës.
Përplasjet ishin shoqëruar me hedhjen e sendeve dhe mjeteve ndezëse nga protestuesit, ndërsa policia kishte përdorur gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për shpërndarjen e turmës, shkruan Protothema.
Në këtë klimë, protesta e 24 tetorit pritet të jetë një tjetër moment i rëndësishëm për lëvizjen studentore dhe mbështetësit e saj. Tubimi është planifikuar të nisë në orën 11:00 përpara Kryeministrisë, ndërsa në orën 14:00 pritet një tubim pranë Ministrisë së Arsimit.













