Rreth 330 persona janë regjistruar pranë degës së Partisë Demokratike në Vlorë për të marrë pjesë në protestën e sotme të thirrur nga opozita në Tiranë.
Ndërkohë, rreth 80 deri në 100 persona të tjerë pritet të nisen nga degët e PD-së në Selenicë dhe Himarë.
Sipas informacioneve nga dega e PD-së në Vlorë, organizimi konsiston kryesisht në regjistrimin e personave që dëshirojnë të marrin pjesë në protestë dhe nisjen e tyre drejt kryeqytetit me automjete personale. Për qytetarët që nuk disponojnë mjete transporti, është organizuar udhëtimi me automjete të personave të tjerë të regjistruar.
Gjithashtu rreth 500 anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike nga gjashtë qytetet e juglindjes, Korça, Pogradeci, Maliqi, Devolli, Kolonja dhe Pusteci, pritet të marrin pjesë sot në protestën kombëtare përpara Kryeministrisë.
Sipas informacioneve, demokratët do të udhëtojnë drejt Tiranës me automjetet e tyre private dhe jo në mënyrë të organizuar. Kjo mënyrë udhëtimi lidhet me dëshirën për të shmangur vëmendjen dhe identifikimin nga policia.
Pjesëmarrja vjen pas thirrjes së kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për mobilizimin e mbështetësve në protestën e sotme.











