Edukatorja i dhunoi djalin në kopsht, flet nëna e 4-vjeçarit në Korçë

24 Tetor 2026 | 11:14

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me arrestimin e edukatores në Korçë, e cila u prangos mëngjesin e kësaj të shtune pas dyshimit për dhunë ndaj një fëmije 4-vjeçar brenda ambienteve të kopshtit.

Nëna e të miturit, Vollsjana Plasa, ka rrëfyer shqetësimet që djali i saj i kishte shprehur lidhur me mënyrën se si edukatorja e trajtonte.

“Para katër ditësh, djali më është ankuar. Më ka thënë: ‘Mami, mësuesja më godet’. Kam shkuar atje dhe u kam thënë se fëmija ankohet që mësuesja e godet. Ato më thanë: ‘Jo, se ky është fëmijë. Pse gënjen ti?’ Ia thanë djalit në praninë time”, rrëfen nëna.

Sipas saj, ditën pasuese, djali nisi të shfaqte frikë për të shkuar në kopsht. Ai i tregoi se edukatorja e kishte futur në një qilar, ndërsa nëna thotë se i kërkoi stafit që të mos e trembnin më fëmijën. Edhe këtë herë, pretendimet e saj, sipas rrëfimit, u mohuan.

“Shkoj djali në mëngjes për ta çuar fëmijën dhe gjatë rrugës më thotë: ‘Mami, mos më shpëto, unë kam frikë, më godet mësuesja’. I thashë se do ta sqaroja vetë”, tregon Plasa.

Ajo thotë se iu drejtua edhe drejtoreshës së kopshtit, e cila, sipas saj, i kishte pohuar se në ambientet e institucionit kishte kamera sigurie dhe se pamjet mund të verifikoheshin. Megjithatë, nëna pretendon se nuk u bind nga përgjigjet që mori dhe se shqetësimet e saj nuk u trajtuan siç duhej.

Momenti më i rëndë, sipas rrëfimit të nënës, ndodhi kur ajo u kthye për të marrë djalin nga kopshti. Ajo pretendon se e gjeti fëmijën në oborr, ndërsa njëra prej edukatoreve e kishte kapur fort për dore dhe po i bërtiste.

“Kjo mësuesja e kishte kapur djalin për dore, e kishte shtrënguar dhe po i thërriste. Me atë që pashë unë, u tmerrova. I thoshte: ‘Ti pse gënjen? Janë kamerat aty, po s’të besohet? Hapni kamerat, të shikoni vetë’”, rrëfen Plasa.

Nëna pretendon se, kur ndërhyri për të marrë djalin, situata u përshkallëzua. Sipas saj, edukatorja e akuzoi se po e mësonte fëmijën të godiste të tjerët, ndërsa më pas i mori telefonin dhe ia hodhi. Plasa thotë se pati edhe një përplasje fizike mes tyre, pas së cilës vendosi të largohej me djalin dhe të shkonte në komisariat për të denoncuar ngjarjen.

“Unë e lë fëmijën në kopsht për ta edukuar. E çoj që të mësojë, jo që të dhunohet. I thashë se do të përballej me ligjin. E mora fëmijën dhe shkova drejt e në komisariat, ku bëra deklarimin tim në prani të policisë”, thotë ajo.

Volsjana Plasa tregon gjithashtu se, disa ditë përpara ngjarjes, kishte vënë re një shenjë të kuqe në qafën e djalit. Kur e pyeti se çfarë kishte ndodhur, ai i kishte thënë se e kishte goditur mësuesja.

“Në ditët e para të kopshtit, fëmija kishte një shenjë të kuqe në qafë dhe më tha se e goditi mësuesja. Në atë moment nuk i kushtova shumë vëmendje. Por, pas asaj që ndodhi, gjithçka mori një tjetër kuptim për mua”, rrëfen nëna.

Ajo kërkon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë rastin dhe të ushtrojnë kontrolle më të shpeshta në kopshtet ku qëndrojnë fëmijët e vegjël.

“Mirë që fëmija im foli dhe di të tregojë çfarë i ka ndodhur. Po ata fëmijë që nuk flasin? Kush e di sa mund të kenë vuajtur. U lutem institucioneve arsimore të bëjnë kontrolle. Ne i çojmë fëmijët në kopsht për t’i edukuar dhe për të mësuar, jo që të dhunohen”, përfundon Plasa.

Rasti pritet të hetohet nga organet kompetente për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë përkatëse. Pretendimet e nënës, si dhe çdo provë e mundshme, përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë, mbeten elemente që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të asaj që ka ndodhur në kopshtin në Korçë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Akuzohet se mbyti të atin me lak teli në Patos, Prokuroria e Fierit çon në gjyq vajzën dhe të ëmën për fshehje krimi

Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasen E.R., e akuzuar për vrasjen e babait të saj në Patos, A.R., duke...
09:54 | 24/10/2026

Kontrolle të shtuara në Qafë-Thanë, masa të rrepta për shqiptarët që hyjnë nga Maqedonia e Veriut

Prej dy ditësh janë shtuar kontrollet në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës për shtetasit shqiptarë që hyjnë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut....
09:37 | 24/10/2026

Rreth 500 demokratë nga juglindja pritet t’i bashkohen protestës kombëtare të PD-së në Tiranë

Rreth 500 anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike nga gjashtë qytetet e juglindjes, Korça, Pogradeci, Maliqi, Devolli, Kolonja dhe Pusteci, pritet të marrin pjesë sot...
09:30 | 24/10/2026