Një atentat mafioz ka tronditur rajonin e Kalabrisë në Itali, ku bashkëshortja e Damiano Pepe, 64 vjeç, i konsideruar nga hetuesit si një prej figurave të rëndësishme të krimit të organizuar në zonën e Sibaritidës, është vrarë me armë zjarri. Vetë Pepe ka mbetur i plagosur rëndë.
Mediat italiane shkruajnë se, ngjarja ndodhi rreth mesnatës, në zonën Lattughelle, në territorin e komunës Cassano all’Ionio, në provincën e Cosenza-s.
Sipas informacioneve paraprake, autorët e sulmit vepruan pranë banesës së Pepe-s. Bashkëshortja e tij, Silvana Sibarelli, 60 vjeçe, humbi jetën, ndërsa 64-vjeçari mbeti i plagosur rëndë.

Damiano Pepe, 64 vjeç
Në vendngjarje mbërritën efektivët e karabinierëve të njësisë së Cassano all’Ionio, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të atentatit dhe identifikimin e autorëve.
Gjendja shëndetësore e Damiano Pepe-s raportohet e rëndë. Fillimisht, ai u transportua në spitalin e Corigliano Rossano-s, për t’u transferuar më pas në Cosenza.
Sipas raportimeve, 64-vjeçari iu nënshtrua një ndërhyrjeje të ndërlikuar kirurgjikale.
Hetuesit po punojnë për të rindërtuar dinamikën e sulmit dhe për të përcaktuar motivet e tij. Për momentin, autorët dhe rrethanat e plota të atentatit mbeten objekt hetimi.



