“Talenti është vetëm pikënisja, suksesi kërkon punë”: Elseid Hysaj bisedë të hapur me djemtë e Elite Youth Development Academy
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, ka vizituar ambientet e Elite Youth Development Academy, ku jetojnë dhe stërviten futbollistët e rinj, duke zhvilluar një bisedë të hapur me ta për rrugëtimin e tij në futboll, sakrificat, sfidat dhe përvojat e grumbulluara gjatë karrierës.
Në një takim të veçantë me djemtë e akademisë, Hysaj ndau kujtime nga hapat e parë në futboll, largimi nga Shqipëria në moshë të re, eksperienca në Itali dhe rrugëtimi që e çoi deri te fanella kuqezi. Ai foli për rëndësinë e punës së përditshme, disiplinës, përkushtimit dhe besimit te vetja, duke u përcjellë futbollistëve të rinj mesazhin se talenti është vetëm pikënisja, ndërsa suksesi kërkon punë të vazhdueshme dhe sakrifica.
Gjatë bisedës, mbrojtësi kuqezi ndau gjithashtu përvoja nga periudha te Empoli dhe Napoli, ndikimin e trajnerëve dhe shokëve të skuadrës në zhvillimin e tij, si dhe emocionet e veçanta që sjell përfaqësimi i Shqipërisë. Hysaj u ndal edhe te rëndësia e familjes, forcës mendore, bashkëpunimit brenda grupit dhe mënyrës se si një futbollist duhet të përballet me gabimet dhe momentet e vështira.
Duke iu drejtuar lojtarëve të rinj, ai i inkurajoi të besojnë te ëndrrat e tyre, të shfrytëzojnë kushtet dhe mundësitë që kanë në dispozicion dhe të punojnë çdo ditë për t’u përmirësuar, pa harruar rëndësinë e shkollës dhe të marrëdhënieve me shokët e skuadrës.
Më poshtë, biseda e plotë e Elseid Hysajt me lojtarët e Elite Youth Development Academy:
– Kur e ke zbuluar që doje të bëheshe futbollist?
– Njësoj si ju, në moshën 7-vjeçare kam nisur të luaj futboll. Më kanë dërguar prindërit, sepse në kohën time ka qenë më e vështirë. Nuk i kemi pasur këto kushte, nuk kemi pasur mundësitë dhe mjetet që keni ju sot. Besoj se në moshën 7-vjeçare njeriu e kupton se çfarë do të bëjë në jetë. Unë e kam pasur qejf futbollin. Nuk kam luajtur futboll në PlayStation, por kam preferuar të luaj në rrugë dhe të stërvitem. Kam qenë përherë i gatshëm për këtë.
– Fillimet e karrierës, transferimi te Empoli dhe debutimi me ekipin e parë.
– Kam ikur nga Shqipëria në moshën 15-vjeçare, pak a shumë në moshën tuaj. Ka qenë një ndryshim i madh, pasi në Shqipëri kam bërë stërvitje me një ekip privat, jo me një akademi të mirëfilltë siç janë sot.
Më është dashur të ambientohem me gjuhën dhe me rregullat e futbollit, pasi në Itali kishte rregulla strikte për stërvitjen, ushqimin dhe shkollën, gjëra që unë ende nuk i kisha kuptuar kur isha në Shqipëri. Me kalimin e kohës, kuptova se futbolli është punë. Sigurisht, është edhe pasion, por mbi të gjitha është punë me veten.
– Kur e kuptove që futbolli do të ishte profesioni yt?
– Në moshën 17-vjeçare e kuptova me të vërtetë se futbolli ishte një pasion dhe një punë që mund të ndërtonte jetën time. Përndryshe, do të shkoja të punoja me babain tim. Ndaj, në atë moshë e kuptova se duhej të përqendrohesha shumë, sepse mendoja që futbolli do të ishte e vetmja zgjidhje për mua. Unë mendoja vetëm për futbollin.
Problemi im ishte shkolla, sepse në moshën 17-vjeçare luaja me ekipin e parë. Kur ke stërvitje në mëngjes, nuk mund të shkosh në shkollë. Aty e kuptova që karriera ime duhej të përqendrohej te futbolli. Shkollën e lashë pak pas dore, sepse nuk mund të përqendrohesha çdo ditë.
Megjithatë, jam marrë me të pas futbollit, që të isha i qetë me ndërgjegjen time. Në futboll nuk dihet kurrë se si ecin gjërat në jetë, ndaj duhet ta keni gjithmonë shkollën si një mundësi për veten tuaj.
– Cilat sakrifica ke bërë gjatë karrierës për t’u bërë ky që je sot?
– Kam bërë shumë sakrifica. Kam qenë i ndarë nga prindërit gjatë gjithë jetës sime. Kur jetoja në Shqipëri, isha vetëm me mamin dhe gjyshen, ndërsa babai punonte në Itali. Kur shkova në Itali, jetova vetëm me babain dhe motrën, ndërsa mamin e lashë në Shqipëri.
Normalisht, njeriu i do të dy prindërit pranë, por ne nuk i kemi pasur mundësitë. Këto janë sakrificat që duhen bërë. Për herë të parë kam dalë në darkë në moshën 19-vjeçare. Kam qëndruar deri në orën 22:00 me shokët dhe kafenë e parë e kam pirë po në atë moshë. Babai ka qenë shumë strikt me mua. Nuk më lejonte të dilja dhe, për shkak të ndeshjeve, duhej të isha në gjumë në orën 22:00.
Janë sakrifica që, me kalimin e kohës, kur arrin të luash në Serie A apo Serie B dhe t’i bësh prindërit e tu krenarë, i harron.
– Talenti dhe puna në formimin e një futbollisti
– Pa talent nuk arrin dot të biesh në sy si futbollist. Talenti është gjëja e parë që duhet, por besoj se 75% të suksesit e bën puna. Nëse je i përkushtuar të punosh me veten çdo ditë, të shikosh ndeshjet e tua për të kuptuar çfarë ke bërë gabim dhe të dish ku duhet t’i përmirësosh gabimet, mund të përparosh shumë.
E rëndësishme është të jesh i sinqertë me veten kur gabon. Ndoshta mendon se një ndeshje nuk është problem, por mund të bësh të njëjtin gabim edhe në ndeshjen e dytë. Duhet të jeni të drejtë me veten kur bëni një gabim, të zgjoheni dhe të shkoni në stërvitje një orë më herët për të përmirësuar diçka.
Kam një histori me mbrojtësin e Juventusit, Daniele Rugani. Kam luajtur me të te Empoli dhe jemi rritur bashkë. Kur luanim me ekipin e parë, në moshën 17-vjeçare, shkonim dy orë para stërvitjes për një vit rresht, vetëm për të punuar me këmbën e majtë. Janë detaje të vogla që bëjnë ndryshimin për të ardhmen.
– Rrjetet sociale dhe ndikimi i tyre.
– Tani ju keni më shumë presion nga rrjetet sociale, ndërsa unë, duke u rritur, kam pasur presionin e babait, i cili ishte kritiku im pas ndeshjeve dhe më thoshte ku bëja gabime. Madje, ende sot më thotë kur gaboj.
Është normale që familja të të kritikojë, por komentet e të tjerëve nuk duhet të ndikojnë te ti. Nuk duhet të dëgjosh këdo që të fishkëllen apo të shan. Kujdes me telefonin, sepse është një nga gjërat më të këqija. E kam merak edhe për fëmijët e mi, sepse mund të gabosh shumë shpejt.
Si kujdesesh për të qenë në nivelin e duhur?
– Nuk jam shumë i fiksuar pas ushqimit e të tjerave si këto, sepse edhe unë mund të gaboj dhe të ha pica apo kebab. Por ajo që besoj është se, nëse je mirë me veten, nëse ndihesh mirë të bësh një hap, bëje. Nuk duhet të përqendrohesh te supersticionet.
Sigurisht, nëse fle herët, rikuperohesh më mirë. Po ashtu, është e rëndësishme të mos qëndrosh shumë në telefon.
Trajneri që të ka ndihmuar më shumë dhe ndikimi i një grupi të mirë në zhvillimin tënd si futbollist
Kjo është diçka që dihet: trajneri Sarri. Edhe grupi ndikon shumë.
Hera e parë që shkova te Napoli, aty ishin lojtarë si Higuain, Callejón, Mertens dhe Insigne, njerëz që nuk e kisha parë kurrë në ëndërr se do të luaja me ta. Ata më afruan menjëherë dhe më bënë të ndihesha pjesë e tyre.
Këtu qëndron rëndësia e grupit. Me cilësinë që kishin Higuain, Hamsik, Insigne dhe të tjerët, ata të bënin të dukeshe i mirë, sepse ti luaje me ta dhe mund të tregoje cilësitë e tua. Nuk ke pse të bësh diçka më tepër për t’u dukur i mirë, sepse, nëse luan thjesht dhe për shokun tënd, ata do të të bëjnë të dukesh edhe më mirë.
Mos mendo se, nëse merr topin, kalon tre lojtarë dhe shënon gol, do të jesh më i miri. Ndoshta të bësh tri asistime është më mirë sesa të shënosh një apo dy gola, sepse tregon cilësitë e tua edhe në raport me grupin. Kur të duan të gjithë lojtarët dhe krijon një grup të fortë, grupi është gjithmonë më i fortë.
– Karakteristikat si lider i grupit dhe si kapiten.
– Duhet ta ndjesh ti i pari. Nëse e ndien që ke ndikim te grupi yt, këtë duhet ta kuptojnë edhe lojtarët që ke pranë.
Gjëja e bukur është se jo gjithmonë duhet të jesh lideri. Është shumë e thjeshtë të jesh lider kur fiton pesë ndeshje rresht, por është ndryshe kur nuk je në formën tënde më të mirë.
E kam kuptuar edhe nga vetja. Kam pasur një vit të keq me Kombëtaren, por ia dola të rikthehem. Pikërisht në vështirësinë më të madhe duhet të jesh i zoti të nxjerrësh veten nga ajo situatë, por në këtë mënyrë, mund të ndihmosh edhe grupin të ecë përpara.
Nuk kam folur shumë herë. Kam folur pas humbjes ndaj Polonisë dhe pas ndeshjes ndaj San Marinos. E ndieja që në ato momente ishte e drejtë që të flisja, sepse kam 13 vite me Kombëtaren. E di si funksionon dhe e di më mirë se shumë të tjerë se çfarë kalon në mendjen e një futbollisti.
Në ato momente e ndieja se, kur i shikoja lojtarët në sy, ata më bënin të kuptoja se prisnin diçka nga unë. Atëherë duhet të jesh i zoti t’u tregosh të gjithëve rrugën e duhur.
– Ftesa e parë nga Kombëtarja.
– Ju besoj se e shikoni gjithmonë Kombëtaren në televizor. Edhe unë kështu bëja kur isha i vogël. E shikoja Kombëtaren, lyeja fytyrën kuqezi dhe thosha: “Sa bukur!”. Por ja që, me të vërtetë, e arrita këtë ëndërr. Nëse e ëndërron diçka me gjithë zemër dhe e dëshiron fort, do t’ia arrish. Ëndrrën tënde nuk ta prish dot askush.
Ju duhet gjithmonë të ëndërroni se mund t’ia dilni, sepse unë personalisht jam një nga njerëzit që e kam arritur ëndrrën nga zeroja. Realisht, e kam nisur nga zeroja fare, pasi nuk i kam pasur as kushtet që keni ju.
T’ju them të drejtën, kur arrin të veshësh atë fanellë, sidomos në ndeshjen e parë, është një ndjesi e veçantë. Mbaj mend që kemi luajtur kundër Gjeorgjisë në shtëpi. Stadiumi ishte plot baltë, unë isha vetëm 20 kilogramë, ndërsa magazinieri Tosi më dha fanellën dhe çorapet që më rrinin të mëdha. Nga shiu, fanella peshonte sikur të ishte 40 kilogramë. Mendoja: “Çfarë pune kam unë këtu?”.
Luajta 15 minuta dhe më pas udhëtuam drejt Norvegjisë, ku fituam 1-0 me golin e Salihit. Nga ai moment kuptova se kjo fanellë ishte për mua dhe se vërtet mund të bëhesha pjesë e Kombëtares.
Kur kthehesha në Itali pas grumbullimeve me Kombëtaren, jepja 110% në stërvitje me Empolin, sepse doja të rikthehesha përsëri.
Ndjesinë që të jep kur luan për shtetin tënd, për vendin tënd, nuk ta jep asnjë ekip tjetër. Ti mund të luash për Real Madridin dhe kjo është një kënaqësi personale, por kur luan për Shqipërinë, për veten, familjen, mbiemrin tënd dhe për këdo që të njeh, përpara gjithë këtyre tifozëve, është një ndjenjë që nuk mund ta shpjegoj. Shpresoj ta përjetoni edhe ju vetë.
– Koha e kaluar së bashku me ekipin.
– Gjatë dy-tre viteve të fundit kemi krijuar një grup të mirë. Më pëlqen, sepse po kalojmë më shumë kohë së bashku.
Nëse pas darkës qëndron më shumë se një orë me lojtarët në tavolinë duke pirë kafe, aty qëndron bukuria e futbollit. Nëse pas darkës merr telefonin dhe ikën në dhomë, për mua kjo nuk ka vlerë. Në atë mënyrë nuk do të njiheni kurrë me njëri-tjetrin.
Nëse qëndroni së bashku, edhe gjatë ndeshjeve, kur njëri gabon, do ta ndihmojë shoku me të cilin kalon kohë. Nëse nuk qëndroni së bashku, ai nuk do ta njohë karakterin tënd, nuk do ta dijë nëse je i brishtë apo nëse ke nevojë për diçka. Përndryshe, do të mbyllesh në vetvete.
Siç ju pashë më herët që po qëndronit bashkë, kjo është diçka e bukur. Qëndroni jashtë, flisni për gjërat që ju shqetësojnë dhe për problemet që mund të keni. Përderisa nuk i keni familjarët këtu, duhet t’i ndani këto gjëra me dikë.
– 103 ndeshje me Kombëtaren: A i mban mend?
– Mbaj mend ndeshjen e parë që kam luajtur, ndeshjen në Serbi dhe ndeshjen kur u kualifikuam në vitin 2016, në Armeni, ku fituam 3-0.
Mbaj mend ndeshjet në Europian. Kemi luajtur shumë mirë dhe më vjen keq që nuk u kualifikuam më tej. Mbaj mend edhe kualifikimin për në Gjermani dhe problemet që pata atje.
Janë gjëra që ndodhin në futboll, por mbaj mend edhe se, pas problemeve që pata në Gjermani, ia dola t’i kthej të gjithë tifozët përsëri në anën time. Kjo është forca e individit: të arrish disa gjëra vetë, sepse askush nuk t’i jep të gjitha bashkë.
– Si ke punuar me veten pas Euro 2024?
– Në ato momente më ka ndihmuar familja, sepse, siç e them gjithmonë, të vetmit që mund të të ndihmojnë vërtet janë familja dhe të afërmit e tu. Edhe futbollistët mund të të japin një dorë, duke qëndruar pranë teje dhe duke të qetësuar pak, por familja është gjëja më e rëndësishme.
Megjithatë, më është dashur edhe të punoj me veten. Kur shkoja në dhomë, ndoshta kam qarë, ndoshta jo, por më është dashur të përballesha me veten time.
I kam thënë vetes se një ndeshje nuk mund të më fshijë 13 vite karrierë apo të ma prishë gjithë eksperiencën me Kombëtaren, vetëm sepse disa njerëz jo kompetentë e bënë atë ndeshje kaq të famshme. Unë e di se këto 13 vite nuk m’i ka falur askush dhe askush nuk do të m’i falë. Është diçka personale, që e kam arritur vetë.
I thashë vetes se nuk kisha pse t’i prishja këto 13 vite futboll për shkak të një ndeshjeje. Tani jam rikthyer dhe të gjithë njerëzit që më shohin në stadium më respektojnë.
– Përjetimet e Europianit: Sa ndryshe është nga ndeshjet e zakonshme të kualifikueseve?
– Diferenca është te fakti që luan me skuadra të forta. Ne kemi luajtur ndaj Francës, që kishte lojtarë si Pogba, Griezmann dhe Benzema, një skuadër shumë e fortë. Edhe tifozeria është më e flaktë kur shkon në një Europian. Mbaj mend që të gjitha stadiumet kanë qenë të kuqe, nuk ka pasur tifozë të Francës, sidomos në ndeshjen ndaj Zvicrës, ku atmosfera ishte flakë.
Edhe niveli ynë rritet, sepse kur ti luan kundër Mbappé-së ose kundër një lojtari si Messi, je më i përqendruar sesa kur luan ndaj San Marinos. Kjo është e vërteta. Në kokën e një futbollisti kështu funksionon, por e rëndësishme është të mësohesh edhe me këtë diferencë, sepse të gjithë janë të fortë.
Besoj se ndeshja ndaj San Marinos ishte ndeshja më e keqe që kemi bërë, por kjo është ajo që të bën të kuptosh se nuk ka skuadra të vogla. Nëse ti luan thjesht, mund të humbasësh edhe ndaj San Marinos dhe më pas pendohesh, por nuk ke më zgjidhje. Futbolli është vërtet i fortë, nuk ka skuadra të vogla dhe as lojtarë të vegjël. Çdo lojtar ka cilësi dhe, nëse ti nuk je i përqendruar në lojë, do ta humbasësh ndeshjen, edhe nëse ke Mbappé-në në skuadër. Duhet të jeni shumë të përqendruar në çdo ndeshje.
– Nëse do ta nisje sot përsëri futbollin, çfarë do të bëje ndryshe?
– Nuk do të doja ta nisja përsëri, sepse është një rrugë shumë e gjatë. Ju e keni gjithë jetën përpara, por kur e mendoj se çfarë kam bërë deri tani, është vërtet një punë shumë e lodhshme. Të bëhesh futbollist nuk është e thjeshtë. Nuk është ashtu siç mendojnë njerëzit, se jeta e një futbollisti është e thjeshtë dhe se ata bëjnë një jetë të mirë. Çdo futbollist e ka vuajtjen e tij.
Unë kam 13 vite me Kombëtaren dhe 15 vite si lojtar profesionist. Kam kaluar më shumë kohë duke udhëtuar nëpër botë sesa në shtëpinë time. Edhe pushimet i kam vetëm një herë në vit. Për më tepër, edhe nëse qëndron në shtëpi, duhet të pushosh. Nuk mund t’i ndjekësh hobet e tua, nuk mund t’i japësh motorit, të bësh ski apo shumë gjëra të tjera që mund të të prishin karrierën.
Por ajo që ju them dhe që duhet ta gëzoni është fakti se të luash futboll është diçka e bukur. Duhet ta shfrytëzoni momentin dhe stërvitjen, të mos ju ngelet hatri me trajnerët pse mendoni se jeni më të mirë se një tjetër. Ajo është puna e trajnerit. Ju vetëm nevrikoseni dhe dëmtoni veten. Sidoqoftë, dikush tjetër do të luajë në vendin tuaj.
Ndaj them se duhet ta gëzoni stërvitjen, të jeni të kënaqur kur zbrisni në fushë, të dilni të buzëqeshur nga fusha dhe të jeni të qetë. Duhet t’i kuptoni trajnerët, sepse, nëse ju thonë diçka, e bëjnë për të mirën tuaj. Nuk kanë inat me asnjë lojtar.
– Çfarë të ka dhënë Kombëtarja në këto vite?
– Më ka dhënë emrin. Emrin tim e njohin të gjithë shqiptarët në mbarë botën. Kjo është vlera që më ka dhënë Shqipëria. Familjen time e njohin të gjithë në Shkodër nga mbiemri im, edhe pse nuk vijmë nga një familje e njohur. Kënaqësi më të madhe sesa të ndihesh dikushi në këtë botë, nuk ka.
– Momentet më të mira të karrierës.
– Të gjitha vitet janë të rëndësishme, sepse janë vite të jetës sime që i kam shpenzuar dhe i kam kaluar në mënyrën më të mirë që kam menduar unë. Mendoj se një nga momentet më të mira është transferimi te Napoli dhe ndeshjet e para të Champions League, të cilat uroj t’i përjetoni edhe ju, sepse kur dëgjon himnin e atij kompeticioni, nuk ka emocion më të bukur.
Ardhja në Kombëtare ka qenë një tjetër ndjenjë që e kam pritur gjithmonë, duke shpresuar se do të thirresha një ditë në Kombëtare. Këto janë tri gjërat më të rëndësishme që i kam përjetuar me shumë emocion.
– Ke pasur ndonjë idhull në futboll?
– Po, kam pasur gjithmonë një idhull. Dikur kam qenë tifoz i Interit dhe kisha idhull Zanettin, sepse për mua ai ishte një idhull në të gjitha kuptimet. Ishte një lojtar i pastër, luftarak, që nuk humbiste kurrë një ndeshje dhe luante 50 ndeshje në vit.
Kur kam luajtur kundër tij, e kam përshëndetur dhe ai më ka dhuruar fanellën e tij, të cilën e kam me firmë dhe e mbaj të varur në shtëpi. Ai më ka treguar disiplinën që duhet të ketë një futbollist.
– Si je ndjerë kur ke luajtur kundër Ronaldos?
– Është një ndjesi e bukur, por, mbi të gjitha, është një provë për ty. Kur kam luajtur ndaj tij, nuk kam fjetur gjumë për dy ditë, duke menduar se si mund ta ndaloja, sepse ai nuk ndalohet. Ka qenë një lojtar shumë i fortë.
Por, kur kam luajtur ndaj tij, ia kam marrë topin dy herë. Ka qenë kënaqësia më e madhe e jetës sime. Ia ka vlejtur gjithë puna dhe sakrifica, sepse të arrish ta ndalosh Ronaldon në dy-tri aksione dhe ta shikosh teksa nevrikoset, është kënaqësi e madhe.
– Ndeshja më e bukur që ke luajtur?
– Kam bërë shumë ndeshje të bukura gjatë karrierës. Kam luajtur në Champions League dhe kam zhvilluar ndeshje të bukura. Kam luajtur me Lazion ndaj Bayern Munich, një ndeshje shumë të bukur. Në krahun tim kisha Sané-n, një lojtar shumë të shpejtë, të cilit i druhesha. Por, siç thashë më herët, i kisha marrë masat duke u përgatitur që dy ditë para ndeshjes.
– Si u ndjeve kur fitove penalltinë ndaj Serbisë në stadiumin “Air Albania”?
– Po ta shikoni videon, ajo ishte penallti, por ishte edhe zgjuarsia ime që e futa këmbën te sulmuesi. Pastaj u ula në tokë, pashë nëse arbitri e dha penallti apo jo dhe u ktheva nga tifozët për të festuar.
Po ta kishte shënuar Rey, do të kishte qenë edhe më bukur, por ndonjëherë futbolli ta jep gëzimin deri në fund, ndonjëherë vetëm përgjysmë.
– A do të doje ta kishte gjuajtur Asllani penalltinë?
– Jo, unë nuk mendoj për ndryshime. Nëse një futbollist gabon, duhet të vazhdojë të ecë përpara. Gaboi Manaj dhe njerëzit filluan të flisnin. Futbolli është si karma: gjithçka të kthehet. Atij i erdhi mundësia në ndeshjen tjetër dhe na gëzoi të gjithëve.
Mund të gabosh gola apo penallti, por kurrë mos e ul veten, sepse do të vijë ndeshja tjetër dhe do të kesh mundësi ta përmirësosh gabimin, të shënosh një gol tjetër. Gabimet janë pjesë e futbollit.
– Kundërshtari më i fortë me të cilin je përballur?
– Kundërshtari më i fortë për mua ka qenë Tévez, kur luante me Juventusin. Ka qenë si një “pitbull”. Nuk kam parë sulmues me agresivitet si ai. Ronaldo ka cilësi dhe shënon gola, por një sulmues që vinte të bënte presing me atë emër dhe atë reputacion ka qenë Tévez. Ishte një emër i madh, shumë agresiv. Kur donte të shënonte gol, e bënte me çdo kusht.
– Sa e rëndësishme është për mbrojtësit të kenë komunikim me portierin gjatë ndeshjes?
– Për mua, rëndësia e lojës nis nga prapavija. Nëse nuk ke një portier të fortë, nuk funksionon asgjë, edhe nëse ke sulmues të mirë. Po marr si shembull Etrit Berishën. Ai më jep shumë siguri në dalje, më shumë se çdo portier tjetër. Është një portier që të jep siguri në goditjet nga këndi. Kjo është një ndihmë për ne që jemi më të vegjël në trup dhe e bën më të lehtë punën e mbrojtësve.
Komunikimi është i rëndësishëm, sepse portieri mund të të ndihmojë ty, ashtu siç ti ndihmon të tjerët. Për shembull, unë mund të ndihmoj mesfushorin dhe mesfushori ndihmon sulmuesin. Në futboll është shumë e vështirë nëse nuk komunikon. Portieri duhet të jetë i qetë dhe të luajë me topin në këmbë.
– Lojtari idhull te Kombëtarja?
– Për mua, idhulli te Kombëtarja ka qenë gjithmonë Lorik Cana. Ka qenë përherë një futbollist që e kam admiruar. Besoj se është një idhull edhe për të gjithë shqiptarët, madje edhe për ju. E ka udhëhequr Kombëtaren për shumë vite dhe ka luajtur në nivele të larta. Si person dhe si imazh, ka ndihmuar shumë shqiptarë nëpër botë.
– Çfarë të ka mbetur peng në futboll?
– Botërori, Polonia… E vetmja gjë që më ka mbetur peng është Botërori. Po të kisha shkuar në Botëror me Shqipërinë, ndoshta tani nuk do të isha duke luajtur më. Po ta kisha arritur Botërorin, besoj se pas tij do ta kisha lënë futbollin.
Jo se nuk mundem të luaj më, sepse e kam treguar që mund të luaj ende, por sepse do të ishte mbyllja perfekte e karrierës sime, për ta përfunduar si zotëri.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



