Aktori i njohur Sylvester Stallone ka pranuar hapur se vajza e tij, Scarlet Rose Stallone, ka përfituar nga lidhjet familjare për të siguruar një rol në serialin “Tulsa King”, ku ai luan personazhin kryesor. Në një intervistë për USA Today, 80-vjeçari mbrojti vendimin për ta ndihmuar të bijën, duke argumentuar se prindërit duan t’u krijojnë fëmijëve të tyre sa më shumë mundësi.
“Sigurisht që është nepotizëm, idiot. Kjo është arsyeja pse jemi prindër. Duam më të mirën për fëmijët tanë. Pra, natyrisht, u japim atyre çdo avantazh që mundemi”, u shpreh Stallone, duke iu përgjigjur kritikave.
Aktori theksoi se lidhjet familjare mund t’i hapin dikujt një derë, por nuk garantojnë suksesin. Sipas tij, aftësia për ta shfrytëzuar mundësinë dhe për të dëshmuar talentin mbetet përgjegjësi e vetë aktorit.
“A mund ta ruajnë atë nivel cilësie? Kjo nuk varet nga ne. Por nëse mund të hapësh një derë, atëherë do të shohim nëse kanë aftësinë ta kalojnë atë”, deklaroi ai.
Scarlet Rose Stallone, 24 vjeçe, interpreton personazhin e Spencerit në “Tulsa King” dhe pritet të ketë më shumë hapësirë në sezonin e katërt. Babai i saj luan Dwight “Gjeneralin” Manfredi, një mafioz që pas lirimit nga burgu dërgohet në Oklahoma, në serialin e krijuar nga Taylor Sheridan.
Stallone pranoi se vajza e tij mund ta ketë pasur më të lehtë për të siguruar rolin, por nënvizoi se të qëndrosh para miliona shikuesve dhe të dëshmosh vlerat si aktor është një sfidë krejt tjetër.
Për Scarlet, përvoja e punës me të atin ka pasur ndikim edhe në marrëdhënien e tyre jashtë ekranit. Në një intervistë për revistën PEOPLE, gjatë PaleyFest NY 2026, ajo tregoi se xhirimet i kanë afruar dhe u kanë dhënë mundësinë të njihen më mirë.
“Ai punonte gjatë gjithë kohës, kështu që fakti që më në fund arritëm të punojmë së bashku është një mundësi e mrekullueshme. Jemi bërë vërtet miq”, tha aktorja e re.
Përveç “Tulsa King”, Scarlet ka qenë pjesë edhe e projekteve filmike “Hunting Season”, ku ka punuar me Mel Gibson, dhe “Gunslingers”, ku ka luajtur përkrah Nicolas Cage.

