Vendosni fjalën kyçe....

Pedagogë, sindikata dhe studentë njoftojnë pjesëmarrjen në protestën kombëtare të orës 14:00



Protesta e studentëve shënon sot ditën e 12-të, ndërsa në kryeqytet po vijojnë përgatitjet për tubimin kombëtar të paralajmëruar për orën 14:00. Në mbështetje të studentëve janë shprehur pedagogë, mjekë dhe përfaqësues të biznesit të vogël, ndërsa në protestë pritet të marrin pjesë edhe studentë nga qytete të tjera të vendit.

Pedagogët kanë njoftuar se do t’i bashkohen protestës studentore. Po ashtu, Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias e Shqipërisë ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në tubimin e 24 tetorit, në shenjë solidariteti me studentët, të rinjtë dhe qytetarët.

Përmes një thirrjeje publike, sindikata u ka kërkuar anëtarëve, artistëve dhe punonjësve të kulturës e medias të mblidhen në orën 11:00 përpara Kryeministrisë. Në njoftim, pjesëmarrja në protestë lidhet me përgjegjësinë qytetare për të ardhmen e vendit dhe mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.

Ndërkohë, Partia Demokratike u ka bërë thirrje aktivistëve dhe forumeve të saj që të mblidhen në orën 12:00, për t’iu bashkuar protestës në mbështetje të studentëve.

Tubimi kryesor është paralajmëruar për orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit. Më pas, protestuesit pritet të marshojnë drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe Kryeministrisë.

Mobilizimi po zhvillohet edhe në qytetet e tjera të vendit. Studentët e rretheve, të cilët gjatë javës kanë protestuar pranë universiteteve ku studiojnë, pritet të udhëtojnë drejt Tiranës për t’iu bashkuar tubimit.

Ndërkohë, grupet studentore të kryeqytetit janë në komunikim me studentët e qyteteve të tjera për të koordinuar pjesëmarrjen në protestën përpara Kryeministrisë.