Kryeministri Edi Rama është shprehur se dhuna e shkaktuar në protestat e ditëve të fundit, është shkaktuar nga persona të radikaluzuar nga ANTIFA, feja dhe krimi i organizuar.
Komentet Rama i bëri në një konferencë për mediat, ku tha se nuk është masa më e madhe e njerëzve që kryejnë akte dhune gjatë protestës.
Teksa ripërsëriti ftesën për dialog, Rama tha se protestat në të gjithë botën bëhen për t’u dëgjuar, jo për të përmbysur qeverinë me dhunë.
“Ne jemi duke punuar intensivisht për të adresuar të dy anët e kësaj medaljeje. Jemi shumë të vëmendshëm në raport me arsyet reale dhe me shkaqet që bëjnë shumëkënd përtej faktit që votojnë apo nuk votojnë për mua, që të ndjejnë nevojën për të protestuar, përsa kohë që janë të distancuar nga dhuna. Ai terror urban u shkaktua jo nga një masë e madhe njerëzish por nga njerëz të radikalizuar nga ANTIFA, të radikaluzuar fetarë dhe të radikaluzuar nga krimi për të ushtruar dhunë. Rruga e protestës paqësore është rruga që çon te dialogu. Dje kam pasur një bisedë miqësore telefonike me një pedagog të Mjekësisë, i njohur për qëndrimet e tij në anën tjetër të spektrit politik. I thashë që një protestë bëhet për t’u dëgjuar. Për t’u ulur në tryezë. Nuk bëhet për të përmbysur qeverinë apo shumicën qeverisëse me dhunë. Natyrisht kur kjo protestë nuk është protestë e një partie politike, por e një segmenti qytetar. E pyeta se përse është bërë pjesë e atij grupi. Arsyet që më tha ishin të gjitha gjëra që lidheshin me arsye krejt specifike e legjitime. Unë i thashë ne ulemi dhe e diskutojmë. Pra një protestë bëhet kur Qeveria nuk është e gatshme të dëgjojë, në të kundërt këmbëngulja në protestë është pa sens. Dhuna është një krim i ndëshkueshëm. Kjo është edhe arsyeja pse ne jemi duke punuar në të gjitha drejtimet”, tha mes të tjerash Rama.
Lajmi kryesor:
Protestat e dhunshme, Rama: Duan destabilizim, nevojitet dialog për të zgjidhur problemet! Demo: Autorët e maskuar të dhunës po identifikohen nga teknologjia (VIDEO)








