Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish protestën studentore, duke e cilësuar si një “lëvizje imagjinare studentore” dhe duke pretenduar se në radhët e protestuesve janë përfshirë persona me precedentë kriminalë, të cilët synojnë destabilizimin e vendit.
Gjatë një komunikimi në rrjetet sociale, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo, Rama deklaroi se ishte informuar për një listë personash të ndaluar dhe të proceduar nga Policia e Shtetit, të cilët, sipas tij, kanë ushtruar dhunë gjatë protestave dhe nuk kanë lidhje me statusin e studentit.
“Dje u informova për një listë të gjatë personash me precedentë kriminalë, të cilët nën maskën e studentit, por pa asnjë lidhje me statusin e studentit, me lëvizjen imagjinare studentore, ushtruan dhunë dhe janë ndaluar dhe proceduar nga Policia e Shtetit”, u shpreh kryeministri.
Rama pretendoi se pas këtyre personave qëndrojnë krimi i organizuar dhe ndikime të huaja, të cilat, sipas tij, po hetohen intensivisht. Ai i akuzoi gjithashtu disa media se nuk janë distancuar nga dhuna gjatë protestave.
Kryeministri e përshkroi situatën si një përpjekje për të destabilizuar vendin dhe për ta larguar Shqipërinë nga rruga e saj e zhvillimit. Ai kritikoi gjuhën dhe veprimet e protestuesve që, sipas tij, përdorin kërcënime dhe dhunë.
Rama tha se, pavarësisht qëndrimeve të personave që mbështesin protestën, por distancohen nga dhuna, gjatë tubimeve janë përfshirë edhe individë të radikalizuar ideologjikisht ose fetarisht. Ai pretendoi se në turmë janë futur persona të lidhur me ANTIFA-n, si dhe individë të paguar për të nxitur përçarje fetare.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në ditën e 12-të të protestës studentore, ndërsa për sot është paralajmëruar një tubim kombëtar në Tiranë, ku pritet të bashkohen studentë nga qytete të ndryshme, si dhe pedagogë, mjekë dhe artistë.












