Revolta studentore kundër qeverisë/ Rama sulmon protestuesit: Pas tyre qëndrojnë krimi i organizuar dhe duar të huaja!

Ditën e sotme, në një deklaratë për mediat, kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish protestuesit, duke pretenduar se pas tyre qëndrojnë krimi i organizuar dhe “duar të huaja”, për të cilat tha se po vijojnë hetimet intensive.

Rama u shpreh se personat e ndaluar dhe proceduar nga Policia e Shtetit, sipas tij, kanë si qëllim destabilizimin e vendit dhe devijimin e rrugës së Shqipërisë, duke e kthyer atë pas në të shkuarën.

Të lidhura

None found

Gjithashtu, kreu i shtetit theksoi se problemet e shoqërisë, të familjeve, studentëve dhe të rinjve janë legjitime dhe kërkojnë zgjidhje, por sipas tij, dhuna nuk mund të justifikohet.

Sipas tij, ajo që ai e cilësoi si “terror urban” nuk është shkaktuar nga mijëra qytetarë, por nga një grup personash të radikalizuar.

Rama: Janë ndaluar dhe proceduar nga Policia e Shtetit. Një listë domethënëse përfaqësuese e një komponenti të dhunshëm të protestës, që është integruar në këtë masë të larmishme personash me një qëllim shumë të qartë, destabilizimi i vendit dhe devijimi i rrugës sonë, duke na kthyer mbrapsht në të shkuarën. Natyrisht që pas atyre personave qëndrojnë krimi i organizuar, si dhe duar të huaja, për të cilat vazhdojmë të hetojmë intensivisht. Por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte reagimi i ekraneve të korporatave ndaj një liste që, minimalisht, duhet t’i bënte të gjithë të reflektonin për mosdistancimin nga dhuna dhe relativizimin e mëtejshëm të saj, në emër të studentëve, rinisë, që është, sipas këtyre ekraneve dhe sidomos sipas VIP-ave të mbrëmjeve, një moment transformues për Shqipërinë.

Në fakt, nuk ka asnjë moment transformues, përveçse një sfide të hapur me probleme që kërkojnë adresim. Probleme të shoqërisë, të familjeve të zakonshme, të studentëve, të rinisë, të gjitha legjitime, dhe dhunës. Gjuha e gurit, hurit, zjarrit, urrejtjes, ofendimeve, kërcënimeve, nuk mund të fitojë një status qytetarie nëse nuk duan një të nesërme të sigurt për këtë vend. Jemi duke punuar intensivisht, me orë të zgjatura, për të adresuar të dyja anët e kësaj proteste. Dua të bëj të qartë se jemi shumë të vëmendshëm dhe jam shumë i vëmendshëm personalisht në raport me arsyet reale dhe me shkaqet që bëjnë shumë mendje të simpatizojnë një protestë dhe të ndiejnë nevojën për të protestuar, pavarësisht se janë të distancuar nga dhuna, për sa kohë që ai terror urban nuk u shkaktua nga mijëra qytetarë, por nga një masë e larmishme njerëzish, të radikalizuar ideologjikisht, ANTIFA, të radikalizuar fetarisht.


Shtuar më 24.10.2026 12:05

Quantcast