Nga Eduard Zaloshnja

Në një sondazh që drejtova në fund të shtatorit në terrenin e Tiranës urbane (për një fondacion gjerman), 808 të anketuarit ishin banorë të rritur krejt të rastësishëm të 11 ish-minibashkive origjinale të Tiranës, të intervistuar ballëpërballë në kushtet e një anonimati të plotë.

Dje zhvillova një sondazh elektronik, ku linku i pyetësorit iu dërgua me SMS të rastësishme 1100 banorëve të 11 ish-minibashkive origjinale të Tiranës, të cilin e plotësuan në mënyrë krejt anonime 901 banorë të rritur.

Në sondazhin e shtatorit, siç pritej, simpatizantët e Ramës ndër 808 të anketuarit ishin më të paktë se sa oponentët e tij. Por befasia e madhe e sondazhit ishte te pyetja mbi moshën. Përkundër opinionit që mbizotëronte atëherë nëpër media, portale, rrjete sociale dhe kafenera, nuk kishte ndonjë deficit demografik statistikor në kuotat personale të Ramës në grupmoshën 18-24 vjeç. Deficit demografik, përkundër pritshmërisë, kishte vetëm te brezi i tij; në grupmoshën 50-64 vjeç.

Simpatizantët e Ramës ishin më tiranas dhe më urbanë se oponentët e tij (nisur nga vendlindja e tyre dhe e prindërve të tyre), ishin më të arsimuar dhe kishin prindër më të arsimuar, ishin më afluentë (nisur nga të ardhurat familjare mujore dhe nga mundësia për të shkuar me pushime gjatë verës), ishin më pak fetarë (nisur nga frekuenca e vajtjes për falje në objektet e kultit), dhe 20% e tyre banonin në ish-Minibashkinë 5 (ku banonin vetëm 12.5% e të anketuarve oponentë të Ramës).

Në sondazhin e djeshëm, përqindja e simpatizantëve të Ramës u pakësua dhe e oponentëve të tij u shtua, krahasuar me shtatorin. Dhe kjo ndodhi kryesisht prej grupmoshës 18-24 vjeç. Ndërkohë, në grupmoshat 35-49 vjeç dhe 65 vjeç e sipër Rama ruajti pak a shumë përqindjet e shtatorit, teksa deficiti demografik statistikor në brezin e tij (50-64 vjeç) mbeti prapë shumë domethënës statistikisht.

Sidoqoftë, simpatizantët e sotëm të Ramës vazhdojnë të jenë më tiranas dhe më urbanë se oponentët e tij (nisur nga vendlindja e tyre dhe e prindërve të tyre), më të arsimuar dhe me prindër më të arsimuar, më afluentë (nisur nga të ardhurat familjare mujore dhe nga mundësia për të shkuar me pushime gjatë verës), më pak fetarë (nisur nga frekuenca e vajtjes për falje në objektet e kultit), dhe 19.1% e tyre banojnë në ish-Minibashkinë 5 (ku banojnë vetëm 13% e oponentëve të Ramës).

Top Channel