Vendosni fjalën kyçe....

Demo: Teknologjia po ndihmon në identifikimin e protestuesve të dhunshëm, do t’i referojmë rastet në Prokurori



Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se Policia e Shtetit po përdor teknologjinë për të identifikuar personat e dyshuar për akte dhune gjatë protestave të ditëve të fundit.

Gjatë një komunikimi me kryeministrin Edi Rama nga Kryeministria, Demo tha se po analizohen qindra orë filmime të siguruara nga mediat, rrjetet sociale dhe kamerat e institucioneve publike e private. Sipas tij, teknologjia po ndihmon në përshpejtimin e procesit të identifikimit, edhe në rastet kur personat kanë mbuluar fytyrën me maska.

“Ne kemi dita-ditës raste të cilat janë të identifikueshme, edhe kur protestuesit kanë fshehur pamjen e tyre nëpërmjet maskave”, deklaroi ministri, duke shtuar se procesi do të vijojë.

Demo bëri të ditur se materialet e mbledhura do t’i përcillen Prokurorisë për veprime të mëtejshme ndaj personave që dyshohet se kanë dëmtuar institucionet dhe pronën private.

Sipas tij, pamjet e përdorura për identifikimin e personave vijnë nga burime publike, transmetimet televizive, kamerat e sigurisë dhe videot e publikuara në rrjetet sociale.

“Janë qindra e qindra orë filmimi nga burime të ndryshme, të cilat duhen përpunuar. Duke përdorur thjesht burimet njerëzore, ky do të ishte një proces shumë i vështirë. Por tashmë, falë teknologjisë, ne po avancojmë me shpejtësi për sa i përket identifikimit të të gjithë personave që kanë kryer këto akte”, u shpreh Demo.

Ministri garantoi se Policia e Shtetit do të vijojë punën për identifikimin e personave të dyshuar për dëmtimin e pronës publike dhe cenimin e bizneseve private, me qëllim referimin e rasteve përpara drejtësisë.