Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë për protestën e paralajmëruar sot në Tiranë, pas konstatimit të thirrjeve në rrjetet sociale për grumbullimin e personave të maskuar dhe përdorimin e mjeteve të rrezikshme gjatë tubimit.
Në një deklaratë për mediat, Albert Nushi, drejtues dhe shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, bëri të ditur se në platformat online janë evidentuar thirrje për përdorimin e lëndëve piroteknike, bombave Molotov, sferave dhe vidave metalike, shkopinjve, gurëve dhe sendeve të tjera të forta.
Sipas Policisë, edhe gjatë ditës së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm janë konstatuar thirrje për sulme ndaj punonjësve të Policisë, djegie të automjeteve të uniformave blu dhe dëmtim të pronës publike e private.
Për këto raste ka nisur procedimi penal, ndërsa strukturat e specializuara po kryejnë veprime hetimore për identifikimin e personave përgjegjës dhe përballjen e tyre me ligjin.
“Personat që synojnë ta shfrytëzojnë tubimin për të ushtruar dhunë, pavarësisht maskimit apo përpjekjeve për të fshehur identitetin, do të identifikohen dhe do të përballen me përgjegjësinë ligjore”, thuhet në deklaratën e Policisë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve në protestë që të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, si dhe të mos përfshihen në veprime të paligjshme.
Një apel i veçantë u është drejtuar prindërve, të cilëve u kërkohet të mos lejojnë që fëmijët e tyre të marrin pjesë në tubime apo të qëndrojnë në zona ku mund të rrezikohen nga përplasjet dhe aktet e dhunshme të paralajmëruara në rrjetet sociale.
Policia u ka bërë thirrje edhe gazetarëve dhe operatorëve që do të raportojnë nga terreni të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe udhëzimet e efektivëve, për të shmangur rrezikimin e jetës dhe shëndetit të tyre. Në deklaratë theksohet se e drejta për informim dhe ushtrimi i lirë i veprimtarisë gazetareske vlerësohen, duke respektuar njëkohësisht masat e sigurisë.
Në përfundim, Policia e Shtetit ka apeluar për qetësi, përgjegjshmëri dhe respektim të ligjit, duke nënvizuar se e drejta kushtetuese për tubim paqësor do të respektohet dhe mbrohet, por nuk mund të përdoret si justifikim për sulme ndaj efektivëve apo shkatërrim të pronës.
Shërbimet policore në terren, sipas deklaratës, do të veprojnë në përputhje me ligjin dhe duke respektuar parimin e proporcionalitetit në reagimin ndaj akteve të dhunës dhe paligjshmërisë.

