“Ka thirrje për sulme ndaj Policisë”, Nushi: Personat e dhunshëm do identifikohen pavarësisht maskave

24 Tetor 2026 | 13:21

Albert Nushi, Shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike tha në një deklaratë për median të shtunën se policia ka shtuar masat parandaluese dhe reaguese për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestës, pas zbulimit të thirrjeve të shumta për dhunë gjatë tubimit të sotëm.

Nushi bëri thirrje për distancim nga njerëzit e maskuar, të cilët siç tha do identifikohen dhe vihen para përgjegjësisë ligjore, pavarësisht maskave që mbajnë  apo përpjekjeve për të fshehur identitetin.

“Nisur nga thirrjet e vazhdueshme në rrjetet sociale dhe në grupet e hapura në platformat online për grumbullimin e personave të maskuar dhe të pajisur me lëndë piroteknike, bomba Molotov, sfera dhe vida metalike, shkopinj druri e metalikë, gurë dhe sende të tjera të forta, me qëllim ushtrimin e dhunës gjatë tubimit të paralajmëruar për ditën e sotme, Policia e Shtetit ka shtuar masat parandaluese dhe reaguese për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Edhe gjatë ditës së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit ka konstatuar thirrje të shumta për sulme ndaj punonjësve të Policisë, shkatërrimin dhe djegien e automjeteve të Policisë, si dhe dëmtimin e pronës publike dhe private.

Në lidhje me këto thirrje, Policia e Shtetit ka nisur procedimin penal dhe strukturat e specializuara po kryejnë veprime hetimore për identifikimin e personave përgjegjës dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Personat që synojnë ta shfrytëzojnë tubimin për të ushtruar dhunë, pavarësisht maskimit apo përpjekjeve për të fshehur identitetin, do të identifikohen dhe do të përballen me përgjegjësinë ligjore.

Pjesëmarrësit në tubim të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve të paligjshme.

U bëjmë thirrje prindërve të mos lejojnë që fëmijët e tyre të marrin pjesë në tubime apo të qëndrojnë në ambiente ku siguria e tyre mund të vihet në rrezik nga përplasjet dhe aktet e dhunshme të paralajmëruara në rrjetet sociale. Mbrojtja e fëmijëve nga situatat e rrezikshme është përgjegjësi e përbashkët.

Gazetarët dhe operatorët mediatikë që raportojnë nga terreni, të respektojnë perimetrat e sigurisë të përcaktuar nga Policia dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë, për të shmangur rrezikimin e jetës dhe shëndetit të tyre. Vlerësojmë maksimalisht rëndësinë e informimit të publikut dhe të ushtrimit të lirë të veprimtarisë gazetareske, në respektim të masave të sigurisë”, tha mes të tjerash drejtuesi i policisë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Përfshihet nga flakët një makinë në Gramsh, zjarrfikësja në vendngjarje (VIDEO)

Një automjet është përfshirë nga flakët paraditen e kësaj të shtune në Gramsh. Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse për shuarjen...
13:23 | 24/10/2026

Hita inspekton shërbimet e policisë të angazhuara për protestën: Zbatoni ligjin dhe respektoni proporcionalitetin

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hita, inspektoi në terren shërbimet policore të angazhuara për mbarëvajtjen e protestës, ndërsa mbledhi edhe drejtuesit e tyre...
13:01 | 24/10/2026

Leskaj: Kjo protestë e ka një finale, të gjithë duhet të bashkohen me studentët

Deputeti i Partisë Demokratike Bujar Leskaj tha në një intervistë për gazetaren e Euronews Albania Enkelejda Mema se protesta e nisur nga studentët do ta...
12:54 | 24/10/2026