Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi nga protesta: Qëllimi është largimi i Ramës, të bashkohet çdo faktor opozitar



Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi nga protesta para Kryeministrisë se PD-ja është mbledhur në mbështetje të studentëve dhe se synimi i saj është largimi i kryeministrit Edi Rama.

Në një prononcim për News24, Këlliçi tha se Partia Demokratike nuk kërkon të marrë autorësinë e protestës, pasi, sipas tij, ajo u përket studentëve. Ai u shpreh gjithashtu se pret që numri i protestuesve të rritet në vijim.

“Është protestë në mbështetje të studentëve. Jam i bindur se do të shtohet numri në vijim. I vetmi qëllim është largimi i Ramës. Qëllimi i PD-së është të largohet Rama dhe ndaj çdo faktor opozitar duhet të bashkohet për largimin e kryeministrit Edi Rama. Ne këtu kemi ardhur për t’u bërë ndihmë studentëve, për të denoncuar çdo dhunë ndaj tyre”, deklaroi Këlliçi.

Ai theksoi se opozita nuk është në garë për të përcaktuar se kush do të bëhet kryeministër, por synon largimin e Ramës, ndërsa zgjedhjen e pasuesit të tij ia la qytetarëve.

“Nuk jemi në garë se kush do të jetë kryeministër, por që të largohet Rama. Se kush e fiton, ta vendosin qytetarët. Nuk bëhet me banda kjo punë, por me zgjedhje. Kjo është diçka e qartë!”, u shpreh nënkryetari i PD-së.