Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaroi se demokratët kanë dalë në protestën para Kryeministrisë në mbështetje të studentëve dhe të rinjve që prej ditësh kundërshtojnë qeverinë.
Noka tha se PD-ja ka qenë në krye të protestave kundër qeverisë gjatë 13 viteve të fundit dhe se do të vijojë të mbështesë çdo grup shoqëror që ngrihet kundër saj.
“PD është forca politike që ka lindur nga protestat dhe sigurisht kemi 13 vite që jemi në betejë dhe protestë të përditshme me këtë narkoregjim. Jemi e vetmja forcë politike që kemi paralajmëruar që në fillimet e pushtetit të Edi Ramës se këta po instalojnë një narkoregjim”, u shpreh Noka.
Ai e cilësoi protestën e studentëve si një lëvizje që meriton mbështetjen e qytetarëve dhe u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen kundër qeverisë. Sipas tij, demokratët janë sot në shesh për t’i dhënë më shumë forcë protestës së të rinjve.
“Ajo protestë meriton mbështetje nga çdo qytetar shqiptar dhe ne po bëjmë atë që duhet. Merit on mbështetje sepse është një protestë që bëhet për të çliruar këtë vend nga kthetrat e mafies dhe narkoregjimit. Ndaj është koha që të bashkohemi të gjithë”, tha ai.
Noka kritikoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama për etiketimet ndaj studentëve, duke i cilësuar ata si “ajka” dhe “krenaria” e vendit. Në përfundim, ai kërkoi largimin e Ramës, duke paralajmëruar se pushteti nuk mund të mbahet përmes dhunës.
“Edi Rama duhet të ketë parasysh një gjë, kurrë me dhunë pushteti nuk është mbajtur. Kush ka tentuar ta mbajë pushtetin me dhunë dhe terror, ka pasur vetëm një fund. Ndaj është koha të largohet pa e agravuar shumë situatën”, u shpreh Noka.