Grupi i militantëve të PD po zhvendoset nga kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit ku do t’u bashkohet studentëve. Në një deklaratë për Report Tv, Jorida Tabaku thotë se janë në mbështetje të tyre.
Deputetja dënon reagimin e policisë ndaj protestuesve të dhunshëm, ndonëse pranon se dhuna s’është pjesë e një shoqërie demokratike. Sipas saj, shkak për dhunën e protestuesve janë pakënaqësitë e grumbulluara, ku një pjesë të fajit ia ngarkon opozitës.
Sa për mungesën e Sali Berishës që e thirri vetë protestën kombëtare të PD, deputetja nuk zbuloi ndonjë arsye të veçantë.
“PD ka protestuar për 13 vite me radhë. Sot është e gjithë Shqipëria që është ngritur në këmbë dhe në mbështetje të protestës së studentëve jemi edhe ne. PD po i bashkohet protestës së të rinjve.
Pas kësaj ne do të nisemi menjëherë drejt Ministrisë së Arsimit. Sigurisht protesta e orës 14:00 është e tyre dhe ne i mbështesim. Kam qenë edhe në cilësinë e kryetares dhe për median për të mbështeutr minorenët. Ka pasur një sulm brutal të policisë ndaj të vegjëlve. Është shumë e nevojshme që secili prej nesh të kuptojë që qeveria do të rrëzohet dhe kërkesat zbatohen kur jemi të gjithë bashkë. Sot besojmë të gjithë se e keqja më e madhe e Shqipërisë është PS.
Në qoftë se ka pasur të paktën 3 ditët e para dhunë, ajo ka qenë e policisë ndaj studentëve. Unë besoj që arriti kulmin ditën e tretë me thyerjen e gjymtyrëve, dhunë verbale e fizike. Besoj fort te forca e fjalës dhe argumentit, protesta paqësore, por ndoshta këta njerëz kanë mllef që ndoshta është edhe për fajin tonë. Mllefi më i madh është te e ardhmja dhe ndoshta është shprehur në atë formë. Nuk është më e mira, por ata atë kanë gjetur.
Për mua, dhuna nuk ka vend në një shoqëri, por pas këtyre kërkesave 14-vjeçare dhe dhunës, ndoshta ashtu e kanë gjetur mënyrën.
Unë besoj që Berisha ka zgjedhur vetë të mos ishte pjesë e protestës. Ajo është thirrur nga ai, por ka zgjedhur të mos jetë prezent. Përfaqësuesit e tjerë janë këtu”, tha Tabaku.
Lajmi kryesor:
Pamje me dron/ Dështon ‘protesta kombëtare’ e PD, një grup i vogël militantësh në shesh! Mungon Berisha, 'grupi i zjarrit' pastaj në dhunën ndaj policisë










