Çfarë ndodhi me trajnerin e Bayern Munchen, zbulohet arsyeja pse i ra të fikët

Një shqetësim shëndetësor ka përfshirë trajnerin e Bayern Munich, Vincent Kompany, i cili raportohet se mbrëmë u shtrua në spital dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme.
Sipas raportimeve të medias gjermane “TZ München”, tekniku belg kishte shkuar në spital edhe disa ditë më parë, ku kishte kaluar natën nën vëzhgimin e mjekëve. Kontrollet e kryera nuk kishin evidentuar probleme shqetësuese, ndaj ai kishte vendosur të drejtonte skuadrën në ndeshjen kundër Arsenalit.
Raporti thekson se Kompany shpesh fle pak për shkak të orëve të gjata që kalon duke punuar deri vonë gjatë natës. Pavarësisht shqetësimeve shëndetësore, ai drejtoi stërvitjen e ekipit të parë të premten dhe më pas shkoi për të ndjekur edhe seancën e skuadrës së dytë, ku dyshohet se u rrëzua.
Sipas së njëjtës media, drejtuesit e Bayern Munich dëshirojnë që trajneri të pushojë dhe të marrë kohën e nevojshme për rikuperim të plotë përpara se të rikthehet në punë.
Deri në konfirmimin e një njoftimi zyrtar nga klubi, detajet mbi gjendjen e tij shëndetësore duhen konsideruar si raportime mediatike.




