Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke publikuar pamje nga akti simbolik i protestuesve të opozitës, të cilët dogjën shilte dhe jastëkë të vendosur përpara godinës së Kryeministrisë, me nismën e Ramës si hapësirë për dialog me protestuesit.
Kryeministri e ka cilësuar Partinë Demokratike si “mëmën e dhunës”, duke e akuzuar se ka dalë për të marrë autorësinë e terrorit urban.
“Ja edhe mëma e dhunës, Partia Demokratike, që pasi dogji e shkatërroi me maskat e kinse ‘studentëve’ bashkë me ANTIFAN e me dhunuesit e tjerë të Tiranës, doli sot për të drejtën e autorit të terrorit urban…”, shkruan Rama.

Zëvendëkryeministrja Albana Koçiu ka reaguar sërish për protestat e dhunshme në Tiranë.
Postimi i plotë:
Koha kur hidhnin gurin dhe fshihnin dorën ka mbaruar. Sot, urdhëruesi i dhunës ka dalë hapur, ka marrë përsipër autorësinë e plotë të shkatërrimit dhe e ka grisur vetë alibinë e “turmës së zemëruar”.
Partia Demokratike prej kohësh është kthyer në një forcë të mirëfilltë dhune, në shesh, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, në çdo kanal komunikimi, media apo online.
E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet kurrë nga ata që nuk kanë punuar asnjë ditë të vetme në interes të saj. Nuk e bënë kur qeverisnin në emër të Shqipërisë dhe nuk e bëjnë as sot, kur angazhohen hapur dhe me paramendim për të destabilizuar vendin, thjesht për llogari të dëshpërimit të tyre politik.
Por edhe kjo llogari e mbrapshtë, si çdo llogari tjetër e tyre, e vjetër apo e re, do t’u dalë përsëri gabim. Shqiptarët nuk e duan dhunën, shqiptarët duan Europën.
Ndaloni sulmin ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit!
‘Studentët’ e protestës së ditës së sotme ndodhen në selinë e Partisë Demokratike, ironizon kryeministri Edi Rama. Ai ka publikuar një video ku duken militantët e PD në oborr, gati për të vijuar me protestën.
“Në Universitetin e Dhunës”, shkruan kryeministri. Videoja mban orën 15:30, kohë gjatë së cilës kishin nisur sulmet e para në bulevardin “Dëshmorët e Kombit.”
Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, ka publikuar në rrjetet sociale një video, ku një grup protestuesish të maskuar hyjnë e dalin brenda selisë së Partisë Demokratike.
Krahas pamjeve, Balla shkruan se selia e PD-së është kthyer në depo të molotovëve, për të furnizuar protestuesit e dhunshëm.
‘Depoja e molotovëve: SELIA E PD’, ka shkruar Balla krahas pamjeve në rrjetet sociale.
Zëvendës-kryeministrja Albana Koçiu ka publikuar pamje të një grupi të vogël të protestuesve që marshojnë në rrugët e Tiranës.
Përmes një reagimi krahas pamjeve, Koçiu është shprehur se protesta e sotme është një tentativë e dështuar për të fabrikuar me zor një ‘revolucion të popullit’. Koçiu thekson gjithashtu se protesta e ‘studentëve’ ka përfunduar si pjesë e bandës së dhunshme të atyre që nuk u dhimbsen studentët dhe as e ardhmja e Shqipërisë.
Sipas Koçiut, dialogu është rruga e atyre që kanë argumente, ndërsa dhuna është rrugica e verbër e atyre që s’kanë çfarë ofrojnë më.
Reagimi i Koçiut:
Kur tentativa për të fabrikuar me zor të madh një “revolucion të popullit” të dështon, përfundon si pjesë e bandës së dhunshme të atyre që as nuk u dhimbsen studentët dhe as e ardhmja e Shqipërisë
Dialogu është rruga e atyre që kanë argumente, ndërsa dhuna është rrugica e verbër e atyre që s’kanë çfarë ofrojnë më.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu në lidhje me protestat e dhunshme të zhvilluara në Tiranë ka përcjellë një mesazh përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se e drejta për të protestuar është e garantuar por dhuna sipas tij mund të sjellë përgjegjësi penale.
Në postimin e tij, ministri gjithashtu ka sjellë në vëmendje edhe rolin e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR), e cila synon të ndërgjegjësojë të rinjtë për përgjegjësitë e tyre dhe pasojat ligjore të veprimeve të dhunshme.
“E drejta për të protestuar është e garantuar. Dhuna nuk është pjesë e saj.
Përfshirja në akte dhune mund të sjellë përgjegjësi penale.
Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR) ndërgjegjëson të rinjtë për përgjegjësinë dhe pasojat ligjore.
Të mbrojmë të drejtat, duke respektuar ligjin.”- thuhet në mesazhin e tij.











Komente
Komento