Nga Arlind Qori-
Për të panumërtën herë Edi Rama më është drejtuar pa ma përmendur emrin. Minimalisht, kjo është mungesë mungesë edukate. Maksimalisht, frikë eskatologjike se po ma përmendi emrin zhgjëndrrat e tij bëhen realitet.
Po le të merremi pak me dhunën. Në jetën time unë nuk kam ushtruar ndonjëherë dhunë, as kam predikuar dhunën. Idetë e Lëvizjes BASHKË që përfaqësoj janë të rrënjosura në historinë dhe aktualitetin e socialdemokracisë më të mirë evropiane. Ide të cilat, sikur të mos degjeneronte tërësisht, duhet t’i kishte edhe PS.
Gjatë protestës kam dalë edhe fizikisht në mbrojtje të studentëve të mi që rrezikonin t’u thyheshin jo vetëm këmbët, por edhe koka nga dhuna e shfrenuar e policisë. Sikundër më ka plasur shpirti nga indinjata kur dëgjova rrëfimin e kolegut tim Alfred Bushi, profesor në Universitetin e Tiranës, të cilin e kanë goditur disa herë në komisariatin 4 me duar të prangosura. Por as atëherë nuk kam bërë thirrje për hakmarrje dhe dhunë.
Pikërisht se besoj te demokracia dhe kalimi paqësor i pushtetit, i bëj sërish thirrje Edi Ramës që të dëgjojë popullin, të japë dorëheqjen dhe të mos bëhet pengesë që për herë të parë në historinë tonë të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme.