Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu e cilëson protestën e sotme në Tiranë si një tentativë të dështuar për të fabrikuar me zor një “revolucion të popullit”. Në një reagim të shoqëruar me pamje të një grupi të vogël protestuesish që marshojnë në rrugët e kryeqytetit, ajo shprehet se protesta e “studentëve” ka përfunduar si pjesë e një bande të dhunshme, së cilës, sipas saj, nuk i dhimbsen as studentët dhe as e ardhmja e Shqipërisë.
Koçiu thekson se dialogu është rruga e atyre që kanë argumente, ndërsa dhunën e cilëson si rrugën pa dalje të atyre që nuk kanë më çfarë të ofrojnë.
“Kur tentativa për të fabrikuar me zor të madh një ‘revolucion të popullit’ të dështon, përfundon si pjesë e bandës së dhunshme të atyre që as nuk u dhimbsen studentët dhe as e ardhmja e Shqipërisë.
Dialogu është rruga e atyre që kanë argumente, ndërsa dhuna është rrugica e verbër e atyre që s’kanë çfarë ofrojnë më”, shkruan Koçiu.

