Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është përfshirë nga tensione të forta këtë të shtunë, në ditën e 12-të të protestës studentore, teksa qytetarët janë mbledhur në qendër të Tiranës për t’iu bashkuar protestës kombëtare.
Situata është tensionuar pothuajse menjëherë pas grumbullimit të turmës. Forcat e policisë kanë nisur ndërhyrjen për shpërndarjen e protestuesve, duke përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
Në zonë raportohet edhe për përdorimin e bombave shurdhuese dhe plumbave të gomës, ndërsa nga radhët e protestuesve janë hedhur gurë në drejtim të forcave të rendit.
“Me plumba gome, vazhdoni”, dëgjohet një urdhër nga megafoni.
Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit janë shpërndarë në disa pika të ndryshme.
Një pjesë e madhe e tyre është tërhequr drejt Parkut Rinia, ndërsa të tjerë janë vendosur në anën tjetër të lumit Lana.
Ndërhyrja e policisë vijon ende në Parkun Rinia.











