Partizani nuk po gjen rrugën e rikthimit te rezultatet pozitive. Të kuqtë janë mposhtur me rezultatin 0-2 nga Skënderbeu, në sfidën e vlefshme për javën e tetë të Abissnet Superiore, duke mbetur në vendin e fundit të klasifikimit.
As ndryshimi në pankinë dhe as prania e Mislav Karoglanit nuk kanë sjellë deri më tani reagimin e shumëpritur te skuadra kryeqytetase.
Nga ana tjetër, Skënderbeu i drejtuar nga Ahmataj ka ditur të shfrytëzojë momentet e duhura për të marrë tri pikë të rëndësishme.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, me Partizanin që e nisi ndeshjen me më shumë vrull dhe krijoi disa momente të rrezikshme, por pa arritur të konkretizonte. Edhe Skënderbeu pati mundësitë e veta, ndërsa 45 minutat e para përfunduan në barazim 0-0.
Gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë. Në minutën e 52-të, gjyqtari akordoi penallti për Skënderbeun pas një kontakti në zonë mes Janjevës dhe Totres. Pavarësisht ndërhyrjes së VAR-it, vendimi u konfirmua dhe në minutën e 56-të Totre e ktheu në gol, duke kaluar korçarët në avantazh.
Partizani u përpoq të reagonte, por pa gjetur qartësinë e nevojshme në fazën sulmuese. Rastet dhe pretendimet nuk munguan, por skuadra e Karoglanit nuk arriti të ndryshonte rrjedhën e takimit.
Goditja përfundimtare erdhi në minutën e 88-të. Janaqi realizoi golin e dytë për Skënderbeun me një goditje nga distanca, duke ndëshkuar sërish mbrojtjen e të kuqve. Një tjetër gol i pësuar nga larg për Partizanin, që po e vuan këtë problem edhe në ndeshjet e tjera
Në minutat e mbetura, Partizani nuk arriti të krijonte një reagim bindës dhe sfida u mbyll me fitoren 0-2 të Skënderbeut.
Me këtë humbje, Partizani mbetet në fund të tabelës me vetëm 4 pikë, duke thelluar krizën e rezultateve. Skënderbeu, ndërkohë, ngjitet në vendin e gjashtë me 9 pikë, pesë më shumë se kundërshtari i tij.
Për Partizanin, alarmi është tashmë i ndezur. Të kuqtë duhet të gjejnë sa më shpejt një mënyrë për të reaguar, në të kundërt rrezikojnë ta shndërrojnë sezonin në një betejë të vështirë për mbijetesë.
© SYRI.net
“Mos u brengos, do të shënoj”, Vedat Muriqi i bën premtimin e madh trajnerit para derbit me Galatasarayn
Falsifikoi edhe recetën, atletja pezullohet 6 vite për doping
Kaosi i protestave ndryshon gjithçka, PSG mbetet jashtë ‘Topit të Artë’Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: