Ahmataj pas suksesit të dytë me Skënderbeun: Pikët na japin kënaqësi, kemi cilësitë për një skuadër të fortë

Skënderbeu fitoi 0-2 ndaj Partizanit në ndeshjen e javës së 8-të të Superiores. Pas përfundimit të sfidës, të luajtur në stadiumin e Vorës, trajneri i skuadrës fituese, Julian Ahmataj, foli për mediat.

“Pikët na gëzojnë, sepse në këtë fazë na nevojitej fitorja. Nuk kemi pasur mungesë loje, por gjithmonë ka elemente që duhen përmirësuar për ta ngritur ekipin në nivelin që synojmë.

Të lidhura

None found

E dinim se Partizani ka futbollistë cilësorë dhe një repart sulmues të nivelit të lartë. Në minutat e para patëm vështirësi. Synimi ynë ishte fillimisht të ruanim sigurinë dhe më pas të shfrytëzonim rastet për të shënuar. Mund të kishim gjetur golin edhe më herët, pasi e kishim lojën në favor.

Kemi punuar shumë në këtë periudhë për organizimin në mbrojtje, por ai mund të prishet brenda një sekonde. Lojtarët japin maksimumin dhe angazhimi është vendimtar. Që në javën e parë kam thënë se kemi një brumë shumë të mirë, mbi të cilin mund të ndërtojmë një ekip të fortë. Natyrisht, duhet të vazhdojmë punën”, u shpreh Ahmataj.


Shtuar më 24.10.2026 16:13

Quantcast