Tetë persona janë paraqitur në spitalet universitare në Tiranë për të marrë trajtim mjekësor, pas lëndimeve të pësuara gjatë protestës së sotme.
Mes tyre janë një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një efektiv policie, dy përfaqësues të medias dhe katër protestues.
Sipas informacionit paraprak të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur gjashtë persona: një deputet, një përfaqësuese e medias dhe katër protestues. Ministria bën me dije se të gjithë kanë lënë spitalin pas marrjes së trajtimit mjekësor.
Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) janë paraqitur për trajtim një efektiv policie dhe një përfaqësues i medias.
Pas tri ditëve relativisht të qeta, protesta e sotme ka rikthyer kaosin në Tiranë. Protestuesit iu kthyen sulmeve me gurë, kapsollë e fishekzjarrë, të cilave policia u është përgjigjur menjëherë me ujë e gaz lotsjellës.
Më pas protestuesit i kanë vënë flakën edhe derës së Ministrisë së Mjedisit, por fatmirësisht flakët janë shuar shpejt, pa lejuar që të përhapeshin në të gjithë godinën. Molotovë u hodhën edhe drejt Teatrit të Kukullave, i cili u përfshi nga flakët. Protestuesit janë nën urdhrat e Belind Këlliçit, Bledion Nallbatit e djalit të Sali Lushajt, i njohur si reperi Stresi.
Më herët Policia duke përdorur ujë e gaz lotsjellës, zbrazi brenda disa minutash bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga protestuesit e dhunshëm. Bulevardi është i veshur nga një tymnajë, ndërsa protestuesit janë shpërndarë në rrugët e qytetit, një pjesë e të cilëve te Sheshi Skënderbej. Edhe efektivët po marshojnë, por situata po pasohet vetëm nga incidentet e zakonshme të koshave të djegur. Ndërkohë, te kryeministria janë pozicionuar edhe forcat RENEA.