Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka dënuar incidentin e raportuar ndaj gazetarit të News24, Klevin Muka, i cili raportohet se është spërkatur me ujë me piper nga efektivë të Policisë së Shtetit gjatë protestës në Tiranë.
Organizata shpreh shqetësimin për përdorimin e forcës ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, të cilët raportojnë mbi zhvillimet gjatë protestave.
AGSH thekson se incidenti vjen pas një serie rastesh të raportuara të dhunës fizike, kërcënimeve dhe pengimit të gazetarëve gjatë protestave që kanë nisur më 13 tetor.
Deklarata:
AGSH dënon incidentin ndaj gazetarit të News24, Klevin Muka, gjatë protestës në Tiranë
Tiranë, 24 tetor 2026
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin e thellë për një tjetër incident të raportuar ndaj punonjësve të medias gjatë protestave në Tiranë.
Sipas informacioneve të raportuara, gazetari i News24, Klevin Muka, ka mbetur i dëmtuar gjatë ushtrimit të detyrës së tij profesionale, pasi dyshohet se është spërkatur me ujë me piper nga efektivë të Policisë së Shtetit.
AGSH dënon çdo përdorim të pajustifikuar ose joproporcional të forcës ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, të cilët ndodhen në terren për të informuar publikun mbi zhvillimet e protestave.
Ky incident i ri vjen pas një serie të gjatë rastesh të raportuara të dhunës fizike, kërcënimeve dhe pengimit të gazetarëve gjatë protestave që kanë nisur më 13 tetor. Me rastin e sotëm, bilanci i AGSH-së arrin në 43 raste të raportuara ndaj gazetarëve dhe mediave, përfshirë edhe sulmet verbale nga përfaqësues politikë.
AGSH i kërkon Policisë së Shtetit të sqarojë menjëherë rrethanat e incidentit ndaj gazetarit Klevin Muka, të identifikojë efektivët e përfshirë dhe të garantojë një hetim të paanshëm dhe efektiv të çdo pretendimi për përdorim të paligjshëm të forcës.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe institucioneve përgjegjëse të trajtojnë me seriozitet të gjitha rastet e raportuara të dhunës ndaj gazetarëve gjatë këtyre protestave.
Siguria e gazetarëve nuk është çështje dytësore e menaxhimit të protestave, por detyrim themelor i institucioneve shtetërore.
