Situata në Sheshin Skënderbej dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është përshkallëzuar gjatë protestës kombëtare të kësaj të shtune, më 24 tetor, ku policia ka përdorur ujë, gaz dhe plumba gome ndaj protestuesve.
Në pamjet e transmetuara nga protesta dëgjohet edhe një komunikim përmes radiomarrëses së policisë, ku thuhet: “Policia nuk do të kursejë asgjë, do të veprojë me të gjitha mundësitë.”
Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit kanë sjellë të plagosur, mes tyre edhe një student, i cili, sipas pamjeve nga terreni, është goditur me plumb gome në kokë. Vullnetarët i kanë ardhur në ndihmë, duke i fashuar plagën.
Gjatë ndërhyrjes policore raportohet se është lënduar edhe pedagogu Lush Susaj. Në terren kanë mbërritur ekipet e Kryqit të Kuq për t’u dhënë ndihmë personave të lënduar.
Dhuna nuk është kufizuar vetëm te protestuesit. Sipas raportimeve nga terreni, edhe ekipet e mediave janë përballur me ndërhyrjen e policisë. Gazetari i News24, Klevin Muka, raportohet se është spërkatur me ujë me piper nga efektivët e Policisë së Shtetit.
Pamjet e publikuara tregojnë gjithashtu efektivë të forcave “Shqiponja” duke qëlluar në drejtim të protestuesve me plumba gome, ndërsa policia ka përdorur edhe autobotet e ujit dhe gazin për të shpërndarë turmën.
Sipas raportimeve nga protesta, efektivët kanë përdorur edhe gurë të marrë nga bulevardi gjatë përballjeve me të rinjtë.
Protesta e 24 tetorit u thirr nga studentët dhe u mbështet nga pedagogë, mësues, mjekë dhe artistë. Situata është tensionuar gjatë ndërhyrjes së policisë, ndërsa vijojnë raportimet për persona të lënduar dhe përplasje në disa pjesë të kryeqytetit.a.b





